Sinjalizuesit në bela me të fuqishmit e politikës

Sinjalizuesit në bela me të fuqishmit e politikës – Lajmet e fundit

Foto Ilustruese


Avdullah Thaçi jeton në Gjermani prej vitit 2015. Para kësaj kohe ai jetonte në qytetin e tij të lindjes në Prizren, ku edhe punonte në një bankë komerciale.

Atëbotë, derisa po kryente punët e përditshme, ai kishte vërejtur disa transaksione të dyshimta të një zyrtari të lartë të komunës së Prizrenit.

Duke besuar se zyrtari po abuzonte me fonde publike, ai thotë se dyshimet i ndau fillimisht me përgjegjësit në vendin e tij të punës, por pastaj edhe më individë të tjerë.

Informacioni që Thaçi e bëri publik, ndikoi që kundër zyrtarit në fjalë dhe disa personave të tjerë, të ngritej aktakuzë për abuzim me fonde publike. Edhe pse fillimisht të akuzuarit u shpallën fajtorë, më vonë Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim, ku të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

Vet Thaçi, asokohe humbi vendin e punës si dhe u gjykua për zbulim të sekreteve komerciale, për të cilën vepër, Gjykata Themelore në Prizren e dënoi më 5,000 euro gjobë.

Ajo që Thaçit i dha epitetin e sinjalizuesit.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Thaçi thotë se sinjalizuesit në Kosovë nuk kanë fare përkrahje dhe se duhet të mendojnë shumë herë përpara se të marrin vendimin për të raportuar keqpërdorimet në vendet ku punojnë.

“Në realitet, unë mendoj së në fund duhet t’i matësh shumë mirë rrethanat, se përndryshe përveç se mbetesh pa bukë e pa punë, e rrezikon edhe sigurinë personale. Unë kam pasur kërcënime dhe tentime për shantazh dhe të gjithave ju kam qëndruar, falë familjes sime që më ka qëndruar pranë, sepse kemi qenë shumë të lidhur sepse për ndryshe nuk ja vlen [sinjalizimi]”, thotë Thaçi.

Thaçi thotë se edhe sot ndjehet krenar për sinjalizimin që kishte bërë. Megjithatë, thotë se është dëshpëruar shumë se si sistemi i drejtësisë, nuk është angazhuar më shumë në dënimin e personave për të cilët kishte bërë publike informacionet.

Një nga arsyet që Thaçi tash jeton jashtë vendit, sipas tij, është dëshpërimi me institucionet shtetërore, të cilat në vend se të dënojnë keqpërdoruesit, dënuan këtë të fundit me 5,000 euro gjobë.

“Secili njeri që ka një informatë për ndonjë keqpërdorim, le ta matë vetën mirë, sepse ka me mbetë rrugëve dhe ka me u linçu dhe faktikisht ka me ia lënë një bela vetës, sepse këta njerëz që arrijnë me keqpërdor fonde publike, janë njëfarë rrjeti mafioz, që kanë njerëz të fuqishëm prapa vetës dhe që të dërgojnë mesazhe dhe jo çdokush mund të ju dalë ballë”, thotë Thaçi.

Që nga viti 2019, në Kosovë është fuqizuar mbrojtja e sinjalizueseve.

Në janar të atij viti, ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizueseve, që përveç se mbron sinjalizuesit është edhe udhërrëfyes ligjor, se kush dhe si mund të bëhet sinjalizues.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.