Sipas Vetëvendosjes me marrëveshjen në Washington është zhbërë kufiri i Kosovës me Serbinë

Sipas Vetëvendosjes me marrëveshjen në Washington është zhbërë kufiri i Kosovës me Serbinë – Lajmet e fundit



Me pranimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes në Washington nga kryeministri, Avdullah Hoti është zhbërë kufiri me Serbinë. Kështu thotë shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një konferencë për media.

“Kemi të bëjmë me një njeri që nga pozicioni i kryeministrit nuk e njeh kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, duke e shkelur Kushtetutën”, thotë ai.

Sipas Selimit kjo është shkelje e rëndë Kushtetuese dhe se sipas tij Kosova aktualisht ka tre lloj kufijsh.

“Ato me shtetet që e njohin Kosovën. Kategoria e dytë janë kufijtë apo pikat kufitare që ndahen mes Kosovës dhe Serbisë dhe e treta është tash kufiri i veçantë ajo në Merdare që i referohen si pikë e përbashkët. Pranimi i zhbërjes se kufirit është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Duke pranuar dhe nënshkruar këtë dokument Hoti e ka zhbërë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundon ai.

Edhe ishiministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bënë thirrje që që të rishikohen të gjitha marrëveshjet e deritanishme dhe të gjitha ato pika ku nuk janë implementuar ato që përfitojmë sado pak të implementohen dhe të shikohen ato pika ku ne kemi humb sovranitet.

“Unë si ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti jam takuar disa herë me zyrtarë të BE-së dhe qysh në takimin e parë është pranuar që pala serbe nuk ka pas as një pikë vullneti që të shtyjë përpara marrëveshjen (për pikat kufitare më 2011). Ne si LVV insistojmë që të rishikohen të gjitha marrëveshjet e deritanishme dhe të gjitha ato pika ku nuk janë implementuar ato që përfitojmë sado pak të implementohen dhe të shikohen ato pika ku ne kemi humb sovranitet”, ka thënë ai.

Shefi i GP të LVV-së, po ashtu ka folur edhe rreth mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, me çrast ka kërkuar edhe nënshkrimet e PDK-së.

“Pozicionimi i tanishëm nuk e bën LVV që t’i ketë të gjithë numrat për mocionin dhe duhet një listë e deputetëve për ta çuar përpara. PDK-ja do të duhej që nënshkrimet e tyre t’i bashkëngjitnin me nënshkrimet e tona. Jemi aq serioz sa që presim angazhimin e të gjithë deputetëve për ta nënshkruar mocionin e për të shkuar përpara”, ka thënë ai. /Zëri