Situata me pandeminë në glob - Zvicra merr masa kufizuese, në Itali shqetësojnë shifrat

Situata me pandeminë në glob – Zvicra merr masa kufizuese, në Itali shqetësojnë shifrat

Rastet e infeksionit me covid-19 në të gjithë botën vazhdojnë të rriten me ritme të frikshme. Në shumë vende të botës, por sidomos në Europë shumëkush i trembet valës së dytë, që tashmë duket të jetë te “porta”. Zvicra është vendi i fundit në listën e atyre që po fillojnë të vënë në zbatim masa kufizuese. Autoritetet zviceriane kanë vendosur të mbyllin klubet e natës në Gjenevë, pas një rritje të rasteve të reja me 40% në kanton.

Klientët në restorante dhe bare ndërkohë do të duhet të qëndrojnë të ulur kur konsumojnë pije ose ushqim, dhe kur të çohen e kanë vendosjen e maskës të detyrueshme. Në Itali ndërkohë shifrat e infeksioneve të reja janë rritur për të dytën ditë me radhë, duke rritur shqetësimet në vend. Të premten, u regjistruan 379 raste të reja në vend, ndërkohë që të enjten regjistrohej dita me rritjen më të madhe që prej fillimit të qershorit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë duket se është ngadalësuar disi hapi i rritjes së kurbës. Gjatë së premtes, infeksionet e reja u rriten me vetëm 0,5% krahasuar me një ditë më parë, nga rreth 1.6% që ka qenë mesatarja e rritjes gjatë ditëve të fundit.

Roel Korkuti / SCAN 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.