Skandali më i madh kulturor që nga rënia e komunizmit

Skandali më i madh kulturor që nga rënia e komunizmit

Gazeta gjermane, Suddeutsche Zeitung i ka dedikuar një reportazh shembjes së Teatrit Kombëtar. Një vit më pas, gazeta thekson se shembja e Teatrit ka lënë një boshllëk të dhimbshëm, transmeton KultPlus.

Reporteri Florian Hassel thotë se aktivistët kërkojnë që Teatri Kombëtar të rindërtohet aty ku ishte, ashtu siç ishte.

“Një vit më parë, Teatri Kombëtar në Tiranë u shemb pavarësisht një stuhie protestash. Aktivistët tani po luftojnë për rindërtimin- në një qytet që po e humbet gradualisht historinë,” shkruan gazeta.

“Përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, lideri i opozitës Lulzim Basha premtoi se do e rindërtonte Teatrin Kombëtar siç ishte nëse do fitonte. Ai nuk fitoi, por fitoi Edi Rama. “Tani betonizimin dhe de-historizimi i Tiranës do të vazhdojë,” thotë Lory Amy një studiuese amerikane e kulturës, e cila punon në Tiranë për ruajtjen e trashëgimisë së mbetur kulturore”.

Gazeta e quan shembjen e Teatrit Kombëtar skandalin më të madh kulturor që nga rënia e komunizmit.

Më tej, gazetari interviston Lindita Komanin, aktivisten dhe shkrimtaren e njohur, e cila thotë se më 17 maj të vitit 2020 “u shemb një pjesë e historisë shqiptare- dhe e historisë së familjes sime”.

Kurse aktori Neritan Liçaj tha se Edi Rama kishte dy dekada që po luftonte për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar aty një qendër të madhe tregtare.

Sipas tij, për dy dekada aktorët jo vetëm kishin probleme me mungesën e fondeve, por edhe kishin kundër një njeri: Edi Ramën. /kohajone/ KultPlus.com