Skender Hyseni mohon të jetë pjesë e dialogut me Serbinë në qeverinë “Kurti II”

Skender Hyseni mohon të jetë pjesë e dialogut me Serbinë në qeverinë “Kurti II” – Lajmet e fundit



Ish-kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ka reaguar pas lajmit se do të jetë pjesë e dialogut në qeverinë “Kurti II”.

Hyseni ka thënë se nuk është pjesë e ekipit dhe as nuk ka pranuar ftesë. Ai bën të ditur se edhe nëse do të ishte ftuar, përgjigjja e tij do të ishte jo.

“Spekulim i pastër! Duke e vlerësuar kureshtjen legjitime të medias, këtu po jap sqarimin tim për të gjithë. Unë nuk jam pjesë e ekipit dhe nuk kam pranuar as ftesë. Për më tepër, edhe po të kishte një ftesë të tillë, përgjigja ime është e prerë. Jo! Nuk jam dhe nuk dua të jem pjesë e asnjë ekipi, sepse nuk besoj se zoti Kurti është i vetëdijshëm se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë me njohje përfundimtare reciproke si shtete të pavarura është sot prioriteti numër një i shtetit tonë”, ka thënë Hyseni.

Hyseni ka thënë se për aq sa ka parë deri më tani, ka frikë se kryeministri Albin Kurti, edhe pse e ka mandatin e plotë, nuk ka guxim dhe kompetencë që të marrë përgjegjësinë për dialogun.

“Duke ruajtur integritetin dhe karakterin unitar kushtetues, Kosovës i duhet një marrëveshje për njohje urgjentisht. Pra! Ka shumë rëndësi çfarë flet Kurt. Ai thotë se dialogu nuk është prioriteti i tij! Duket se preferohet zvarritja dhe status-quoja, që unë besoj janë gabime strategjike në dëm të Kosovës, sepse ky është realiteti. Gjithnjë jam angazhuar për konsensus të gjerë rreth çështjeve të interesit nacional. Besoj se partitë parlamentare duhet të gjejnë forcën dhe guximin të tejkalojnë lojërat e vogla politike dhe të bashkohen në dialog me Serbinë. Zoti Kurti e ka mandatin dhe përgjegjësinë të ndërtojë konsensusin dhe të bëjë dialogun. Për aq sa kam parë deri më tani, edhe pse e ka mandatin e plotë, kam frikë se zoti Kurti nuk ka as guxim e as kompetencë që të marrë përgjegjësinë për dialogun”, ka shkruar ai në Facebook. /Zëri