Haradinaj: Hoti nuk u konsultua me mua për emërimin e Hysenit, por me Thaçin si duket po

Skënder Hyseni, nesër udhëton për takime në State Department dhe Shtëpi të Bardhë – Lajmet e fundit



Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, tha se të shtunën do të udhëtojë për në Uashington, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, me qëllim të koordinimit rreth procesit të negociatave.

SHBA-ja është plotësisht e inkuadruar në këtë proces, tha Hyseni në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Të enjten në Bruksel, ai zhvilloi një raund tjetër bisedimesh me Serbinë, në nivel ekspertësh.

Hyseni tha se në Bruksel po zhvillohen negociata të vështira për “elementet e marrëveshjes finale”, e cila, sipas tij, ka për synim njohjen e ndërsjellë me Serbinë.

Ai nuk deshi të zbulojë se cilët do të jenë kapitujt e ardhshëm,për të cilët do të bisedohet në Bruksel, por theksoi që kjo do të bëhet e njohur në fund të procesit negociator, kur të arrihet një tekst përfundimtar i marrëveshjes.

Pala serbe megjithatë tashmë ka deklaruar se në Bruksel deri më tani është biseduar për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Hyseni shtoi se tashmë është i dukshëm një përkushtim ndryshe nga më parë i BE-së dhe SHBA-së, që kjo çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundimisht të zgjidhet.