Skënder Hyseni shkon në Bruksel i shoqëruar nga dy ekspertë të ekonomisë

Skënder Hyseni shkon në Bruksel i shoqëruar nga dy ekspertë të ekonomisë – Lajmet e fundit



Një takim në nivel të ekspertëve do të mbahet nesër në Bruksel mes përfaqësueseve të Kosovës dhe Serbisë.

Atje, bashkë me koordinatorin për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, në cilësinë e ekspertëve të ekonomisë shkojnë edhe Muhamet Mustafa dhe Robert Muharremi.

Megjithëse informacione për temën e diskutimit në takimin e nesërm nuk janë bërë të ditura nga Zyra e Kryeministrit e as nga koordinatori për dialog, tema duket se ka të bëjë me ekonominë.

Kështu ka thënë, Xhavit Beqiri,  këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Bashkë me koordinatorit Skënder Hyseni, atje është edhe Muhamet Mustafa dhe Robert Muharremi. Kanë shkuar atje në cilësinë e ekspertëve të ekonomisë”, tha Beqiri.

I pyetur për temën e diskutimit, Beqiri tha se për detaje mund të flasë koordinatori për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni.

“Për detaje besoj mund të flasë koordinatori, Skënder Hyseni. Por, për vet faktin se aty janë si pjesë e delegacionit edhe ekspertë të ekonomisë, tema do të jenë kryesisht të kësaj fushe”, tha ai për Telegrafin.

Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se në takimin e nesërm, temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin jo shumicë.

Lajçak përmes një postimi në Twitter shkroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë rënë dakord që ekipi negociator të ndjek këto tema.

Pas njoftimit të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se në takimin e nesërm në Bruksel, temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin jo shumicë, ka reaguar Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Gjuriq ka thënë se për palën serbe pikë e parë e takimit do të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Duke i replikuar Laçakut në Twitter , Gjuriq ka shkruar se për Asociacionin është rënë dakord para shtatë vjetësh nën lehtësimin e BE-së derisa ka shpërndarë edhe pikat e asaj marrëveshje.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë të martën para gazetarëve se rihapja e temës në Bruksel për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, është një kthim prapa për Kosovën.

Kurse, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se të enjten në Bruksel nuk do të diskutohet tema e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ai gjatë diskutimit të sotëm me shoqërinë civile i është kundërpërgjigjur edhe presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se nesër nuk është ditë e rrezikshme për vendin.