Skënder Luarasi, intelektuali që drejtoi disa organe shtypi në Diasporë

Skënder Luarasi, intelektuali që drejtoi disa organe shtypi në Diasporë

Skënder Luarasi, ishte atdhetar dhe demokrat, shkrimtar dhe përkthyes, intelektual i shquar. Lindi në Luaras të Kolonjës më 18 janar 1900. Ishte i biri i patriotit të shquar Petro Nini Luarasit.

Skënder P. Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi përparimtar i viteve ‘30 e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.

Ai ka qenë editor-përgjegjës në revistat: “Student”i SHBA, 1920; “Djalëria”, Austri, 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë”, Spanjë, 1937, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.

Mbas çlirimit të vendit, është nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist.

Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: ”Urdhri i Flamurit” 1960 dhe ”Nderi i Kombit” (1996).

I ati Petro Nini Luarasi kur lindi Skënderi ”lajmëroi autorin e poemës “Histori e Skënderbeut”, mikun e tij Naim Frashëri, se i kishte lindur një djalë të cilit ia vuri emrin Skënder. Naim Frashëri i gëzuar, iu përgjigj: “Skënderi u bëftë 100 vjet dhe i ngjaftë t’et”. Skënder Luarasi krenar për emrin dhe “kumbarin” e tij thoshte: “Kam bekimin e Naim Frashërit unë!

Në fillim të shekullit XX familja e Skënder Luarasit banonte në një shtëpi dykatëshe prej guri në ballë të sheshit të mëhallës Kostallarë, e themeluar nga Kosta, paraardhësi i 12-të i kreut të shtëpisë, Petro Nini Luarasi, i cili në fshat njihej edhe me mbiemrin Kostallari. Në familjen Kostallari emrat më të përsëritur brez pas brezi kanë qenë Kostandin (Nini) dhe Petro. Nga gojëdhënat, vetëm njëri nga djemtë e Kostës, Sotiri, qëndroi në shtëpinë e tij, ndërsa të tjerët u larguan në Stamboll, Volo e Athinë.

Petro N. Luarasit i jetuan më gjatë dy djem (Dhimitri e Skënderi) dhe dy vajza (Thomaidha e Shega). Sipas ritit ortodoks emrin e fëmijës duhej ta zgjidhnin dhe ta pagëzonin vetëm nuni e ndrikulla. Kur lindën dy fëmijët e parë, Petro Nini Luarasi gjendej në Bukuresht e Stamboll, ndërsa për të tjerët u gjend në atdhe dhe këmbënguli që tu vihen emra shqiptarë Skënder e Shega. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com