Sociologu promovon librin mbi pandeminë në Vlorë, Gjiknuri: Duhet të përshtatemi me këtë situatë të re

Sociologu promovon librin mbi pandeminë në Vlorë, Gjiknuri: Duhet të përshtatemi me këtë situatë të re

Sociologu Gëzim Tushi ka promovuar lirin e tij të ri me titull “Pandemia – Asgjë nuk do jetë si më parë” në Vlorë.

Në këtë promovim kanë qenë edhe drejtues aktual dhe ata ndër vite të Partisë Socialiste, Bashkisë së Vlorës dhe njësive administrative.

Vetë Tushi është një ndër themeluesit e Partisë Socialiste të Vlorës dhe njëkohësisht ish-kryetari i saj i parë në vitet 1991-1994.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli vlerësoi profesor Gëzim Tushin si një personazh me kontribute të mëdha si në fushën e sociologjisë ashtu edhe në atë të politikës.

“Unë të falenderoj me zemër për motivimin që ke gjetur në një situatë të tillë për të shkruar diçka dhe lënë brezave për vazhdimësinë. Kur të gjithë janë duke luftuar me pandeminë, kurajozët marrin një penë shkruajnë dhe japin mesazhet ashtu sikurse Profesor Gëzimi ka sjellë sot për gjithë lexuesit në Shqipëri”, u shpreh Leli.

Profesor Tushi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoninë e promovimit të librit ndërsa u ndal edhe tek thelbi i mesazhit që ka dashur të përcjellë.

“Libri është një përpjekje e imja për të bërë një sintezë të përgjithshme të situatës, natyrisht jo duke e parë si mjek. Si sociolog, jam përpjekur të shoh anën tjetër që është po aq e rëndësishme sa ana patologjike. Është e sigurt se gjithçka do të ndryshojë dhe asgjë nuk do të jetë siç ka qenë më parë. Do të ndryshojë sistemi i vlerave dhe mënyra e sjelljes sonë. Pandemitë kanë ndodhur vazhdimisht, dëmet e pandemive janë të pallogaritshme. Kam besimin se njerëzimi gjithnjë ka triumfuar mbi pandemitë, edhe pse ka sjellë dëme. Jam i sigurt se edhe ndaj kësaj pandemie ne do të triumfojmë, njerëzit do vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre por me module të reja”, – tha Tushi. 

Ndërsa, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri i uroi suksese profesor Tushit në librin e publikuar ndërsa vlerësoi kontributin e tij edhe në fushën e shkencës.

“Bazuar mbi eksperiencat e shumë shoqërive, Profesori ka arritur që të bëjë një projeksion edhe se si do të reagojë shoqëria jonë ndaj të tillë fenomeni si ky që po kalojmë. Na duhet të ndryshojmë dhe përshtatemi me këtë situatë të re. Të gjithë ne na lidh një gjë e përbashkët që është Partia Socialiste. Na lidh një e kaluar që nuk mund të hidhet prapa por edhe një e afërme pasi të gjithë ne e ndjejmë veten aty. Na vjen mirë që jemi përgjithësisht të gjithë bashkë, nuk kemi humbur shumë shokë rrugës. Ka dhe ndonjë rast që mungon sot për arsye objektive, dikush mund të jetë sëmurë, dikush e ka patur të pamundur për shkak të kohës së shkurtër por më kanë shkruar mesazhe dhe kanë thënë se me zemër dhe mendje janë këtu.”