S&P vlerëson Shqipërinë – Ahmetaj: Notë pozitive për ekonominë e vendit

S&P për sektorin bankar – “Rënie domethënëse e kredive me probleme, cilësia e aseteve ka ruajtur ritmin”

Raporti i zgjeruar i Standard and Poor`s për ekonominë shqiptare, vijues i vendimit për të mbajtur të pandryshuar notën e borxhit sovran të vendit, i siguruar ekskluzivisht nga Scan intelligence Unit, vë theksin edhe te ecuria e sektorit bankar. “Në një kohë që është rritur aktiviteti kreditues gjatë vitit, fillimisht mbështetur nga skema e garancisë e qeverisë shqiptare, cilësia e aseteve të sektorit bankar ka mbajtur ritmin”-nënvizon Standard and Poor`s mes rreshtave.

“Sektori i dominuar nga banka të huaja dhe i bazuar kryesisht në depozita ka reduktuar gjithashtu normën e kredive jo-performuese. Pavarësisht pabarazisë së madhe mes institucioneve huadhënëse, diçka e tillë përfaqëson një rënie të ndjeshme nga kulmi i arritur në shtator të vitit 2014, kur ka prekur 25%” – thotë ndër të tjera gjigandi i vlerësimit të kreditit. “Fitimet e sektorit ranë gjatë 2020-ës, ndërkohë që stres testet e bankës qendrore kanë identifikuar disa banka me mungesë të lehtë kapitali në rast rreziku, paçka se asnjë prej këtyre rasteve nuk ka qenë i rendësishëm”-shton ndër të tjera Standard and Poor`s.

Agjencia nënvizon edhe faktin se, pavarësisht rritjes së kreditimit ndaj sektorit privat gjatë viteve të fundit, sektori bankar vijon të mbajë pjesën më të madhe të borxhit të brendshëm të qeverisë.

Roel Korkuti / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.