SPAK zbarkon në Kadastrën e Vlorës - Verifikohen të dhënat e Prokurorit të arrestuar të Sarandës Sali Hasa, tërhiqen dosje të rëndësishme

SPAK zbarkon në Kadastrën e Vlorës – Verifikohen të dhënat e Prokurorit të arrestuar të Sarandës Sali Hasa, tërhiqen dosje të rëndësishme

SPAK ka zbarkuar këtë të premte në Kadastrën e Vlorës, një prej degëve më problematike, ku në dy vjet janë shkarkuar 14 drejtorë. Ndryshimi i fundit i drejtuesve në këtë agjenci është shënuar pikërisht këtë të premte, me shkarkimin e Klodian Trocit, në vend të të cilit emëruar Reinard Meta. Mësohet se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë shkuar aty për të verifikuar nëse prokurori i Sarandës Sali Hasa, i cili është arrestuar pak kohë më parë për korrupsion, ka prona të regjistruara në hipotekë.

Por mësohet se nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion janë tërhequr dosje të vjetra për të cilat ka pasur ankesa për vite me radhë nga qytetarët, sic është ajo e Karaburunit, por dhe zonave të tjera bregdetare.

Ndërkaq në SPAK janë në zhvillim e sipër një numër i konsiderueshëm hetimesh të tjera penale për çështjen e pronave që gjurmën e kanë tek kadastra e Vlorës e cila mbulon pronat që përfshijnë gjithë vijën bregdetare që nga grykëderdhja e Vjosës deri në në Sarandë. E gjithë kjo zonë ka qenë historikisht shënjestër e interesave korruptive dhe e krimit të organizuar ndërsa ndër vite janë dhënë vendime abuzive që kanë tjetërsuar pronat apo mbivendosur ato.

Lorenc Rabeta / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.