Studimi për Anton Pashkun promovohet në Muzeun Kombëtar

Studimi për Anton Pashkun promovohet në Muzeun Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar promovoi sot, librin “Hejza e Pashkut” me autor Behar Gjokën. Kjo veprimtari u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Buzuku” në Prishtinë.

Studiues dhe autorë të ndryshëm që morën fjalën në promovim, Abdullah Zeneli, Vjola Isufaj, Namik Dokle dhe Pandeli Koçi u ndalën në vendin e rëndësishëm që zë vepra letrare e Anton Pashkut, në letërsinë bashkëkohore shqipe. Po ashtu, ata theksuan veçanësinë e kësaj vepre në rrafshin estetik, sidomos në prozën e gjatë dhe të shkurtër, po edhe në dramatikën e lëvruar prej tij, si një kontribut në komunikimin me pjesën tjetër të letrave shqipe.

Vepra e gjerë letrare e Anton Pashkut, pavarësisht formës së përveçme estetike, zhanreve dhe tipeve letrare, përbën një realitet unik tekstesh, që zbulohet pambarimisht vetëm nga leximet dhe rileximet e tyre.

Sipas studiuesit Behar Gjoka, është e pashpjegueshme që shkrimtari Anton Pashku nuk është pjesë e programeve tona mësimore, pasi ende trajtohet si një shkrimtar i “jashtë kufijve”.

“Hejza e Pashkut” është një përpjekje serioze e Gjokës për të hetuar dhe nxjerrë në pah vlerat estetike të këtij shkrimtari modern, që meriton të zërë vend në një nga kulmet e bashkëkohësisë së letrave shqipe./atsh/ KultPlus.com