Sulmi seksual ndaj të miturës në Prishtinë, protestohet para MASHTI-t

Sulmi seksual ndaj të miturës në Prishtinë, protestohet para MASHTI-t – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar një protestë para objektit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Prishtinë me moton “Siguri për vajzat në shkollë”.

Shkas për këtë protestë, kjo organizatë mori nga rasti i fundit i publikuar në media ku një vajzë e mitur (dyshohet 6–vjeçare) është sulmuar seksualisht nga disa të mitur tjerë meshkuj.

“Dje, në shkollën ‘Faik Konica’ u bë publik rasti i një sulmi seksual ndaj një nxënëse në klasën e parë nga tre nxënës të klasës së shtatë. Ky rast, i cili nuk mund të lexohet si rast i izoluar, është duke e shpërfaqur edhe një herë, në mënyrë të frikshme realitetin e vajzave. Vajzat janë duke u ballafaquar me dhunë e abuzim seksual në shkolla, pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike”, thuhet në thirrjen e kësaj organizate për protestë, raporton Zeri.info.

Grupi tha se po protestojnë “kundrejt neglizhimit të sigurisë së vajzave dhe mungesën e politikave të mirëfillta të edukimit, të cilat janë duke e mirëmbajtur patriarkalitetin i cili po rezulton të jetë i dhunshëm për vajzat brenda dhe jashtë institucioneve shkollore”.

Protesta thanë se do t’i ketë tri kërkesa kryesore: “Futja e edukatës seksuale në shkolla; ambiente të sigurta për nxënëset/it; dhe punësimi i punëtoreve/ëve socialë dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat”.

Protestuesit në duar mbanin pankarta të ndryshme, nga “Mos e normalizoni abuzimin seksual”, “Mbroje vajzën, edukoje djalin”, “Sulmet seksuale nuk janë lojëra fëmijësh”, e të ngjashme.

Protestën e mbështeti edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK). /Zëri

Image
Image
Image
Image