Suspendohet nga puna doktori llapjan që nuk e trajtoi të moshuarin pas orarit të punës

Suspendohet nga puna doktori llapjan që nuk e trajtoi të moshuarin pas orarit të punës – Lajmet e fundit



Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Driton Veliu, ka reaguar pas videos së publikuar në media nga QKMF-ja e kësaj komune ku një doktor refuzon ta kontrollojë një pacient të moshuar me pretekstin se i ka mbaruar orari i punës.

Por, refuzimin e bën në mënyrë arrogante duke thënë “nesër o djalë, nuk i punoj dy ndërrime, nuk jam dreq”, raporton Zeri.info.

Lexo edhe: Doktori në Podujevë refuzon pacientin e moshuar: Nesër o djalë, nuk i punoj dy ndërrime, nuk jam dreq

Veliu tha se kjo sjellje është e papranueshme dhe nuk përkon as me etikën profesionale, prandaj është vendosur që doktori në fjalë të suspendohet përkohësisht nga puna.

“Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, ka vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor. Duke shprehur keqardhje për këtë rast, jam i sigurt se kjo nuk e zbeh dhe nuk do të ndikojë në punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor të QKMF-së në Podujevë në këtë periudhë pandemie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, deklaron drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Driton Veliu.

Ai tha se e kupton se personeli shëndetësor është lodhur e dërmuar nga situata që po kalojmë në ballafaqimin me COVID-19, kurse gjendjen e bën edhe më të rëndë mungesa e stafit mjekësor në QKMF, pas shkuarjes në specializim të 12 mjekëve.

“Mirëpo, tërë kjo nuk e arsyeton një sjellje të tillë të mjekut, aq më pak ndaj një pacienti të moshuar”, theksoi Veliu. /Zëri/