Tahiri akuzon LDK-në e LVV-në për keqmenaxhim në Prishtinë, thotë se kësaj epoke po i vije fundi

Tahiri akuzon LDK-në e LVV-në për keqmenaxhim në Prishtinë, thotë se kësaj epoke po i vije fundi – Lajmet e fundit



Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, akuzon LDK-në e LVV-në për keqmenaxhim në Prishtinë.

Sipas Tahirit këto dy parti nuk kanë arritur që t’i zgjidhin problemet elementare në kryeqytet, transmeton Zëri.

“Mbi 20 vite keqqeverisje, degradim e mashtrim me qytetin e Prishtinës. Çfarë do të duhej të ishte modeli i progresit e shembulli për t’u ndjekur gjithandej Kosovës, kryeqyteti ynë, ende ka probleme elementare me ujë e kanalizim”, tha ai përmes një postimi në “Facebook.

Tahiri thotë se LDK-ja e LVV-ja nuk kanë pasur pasion ndërtimin e Prishtinës dhe që sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme lokale kësaj epoke do t’i vijë fundi.

“LDK-ja dhe Vetëvendosja që qeverisën me Prishtinën deri më tani, nuk kanë treguar as kokrrën e pasionit për t’iu dhënë zgjidhje meritore problemeve, për shkak të pasionit të madh për t’ia zënë frymën qytetit me ndërtime e mbi ndërtime. Kësaj epoke të mashtrimit e keq menaxhimit, duhet t’i vijë fundi në zgjedhjet e ardhshme lokale”, thekson ai. /Zeri.info