Tahiri, vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Pagave e cilëson shokues

Tahiri, vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Pagave e cilëson shokues – Lajmet e fundit



Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri ka reaguar pas lajmit që Kushtetuesja e shpalli të pavlefshëm Ligjin e Pagave.

Tahiri ka quajtur shokues vendimin e Gjykatës duke thënë se është mohim i të drejtës në përfitimin nga puna për mbi 60000 punëtorë, transmeton Zeri.info

“Shokues vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Pagave, pa lënë hapësirë për korrigjimin e tij në ato pak pjesë kontestuese. Ky është mohim të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62000 shërbyes civilë”, ka shkruar ai në facebook.

Po ashtu Tahiri ka përmendur disa nga kategoritë të cilat sipas tij meritojnë pagat me rritje, siç e ka paraparë Qeveria Haradinaj.

“Policët, punëtorët shëndetësorë, punëtorët e arsimit, e shumë kategori të tjera meritojnë paga, ashtu siç janë paraparë nga Qeveria Haradinaj”, ka thënë Tahiri.

Më tej, zëvendëskryeministri Tahiri thotë se do të insistojnë që me plotësimet e kërkuara të votohet dhe të hyjë në zbatim me urgjencë po i njëjti ligj.

“Posa ta pranojmë vendimin, ne do të evitojmë lëshimet që kanë sjellë deri te anulimi i këtij ligji dhe me ngulm insistojmë që i njëjti me plotësimet e kërkuara të votohet dhe të hyjë në zbatim me urgjencë”, ka përfunduar Tahiri.