“Të dhënat për kancer të gjirit në Kosovë, shqetësuese”

“Të dhënat për kancer të gjirit në Kosovë, shqetësuese” – Lajmet e fundit

Foto: Cleveland Clinic


Është mbajtur sot Konferenca Rajonale për Rritjen e Ndërgjegjësimit mbi Nevojat e Paplotësuara të Kancerit të Gjirit në Kosovë, e organizuar nga organizata joqeveritare “Renesansa” në bashkëpunim me “GoldMinds”, me qëllim sensibilizimin e opinionit mbi gjendjen e prevalencës së kancerit të gjirit në Kosovë dhe propozimit të modaliteteve për adresimin e sfidave aktuale.

Në këtë konferencë, e cila bashkoi aktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, morën pjesë: themeluesja e fondacionit “Jahjaga” dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, kryetari i Shoqatës së Onkologëve Arben Bislimi, themeluesja dhe drejtoresha e organizatës joqeveritare “Renesansa”, Violeta Pirana, profesori dhe onkologu me renome botërore, CEO i ESO-s, Alberto Costa, si dhe përfaqësuesit e vendeve të rajonit.

Njëra nga temat kryesore që u trajtua në konferencë është trajtimi efektiv dhe i përballueshëm si pjesë e planeve kombëtare të kontrollit të kancerit, në mënyrë që çdo grua të ketë qasje në trajtim adekuat dhe mbështetje pavarësisht rrethanave, me ç’rast përfaqësuesit institucionalë shpalosën prioritetet qeverisëse në këtë drejtim. Kurse përfaqësuesit e rajonit ndanë përvojat e vendete të tyre në luftën për diagnostikim të hershëm dhe trajtim me kohë të kancerit të gjirit.

Po ashtu gjatë konferencës u shpalosën gjetjet kryesore të hulumtimit të “GoldMinds” mbi situatën e kancerit të gjirit në Kosovë, e të cilat ishin shqetësuese.

“Sipas këtij hulumtimi, në Kosovë format më të shpeshta të kancerit të gjirit paraqiten në stadin e tretë dhe stadin e katërt, kurse mosha mesatare e grave të cilat diagnostikohen me kancer të gjirit është 48 – 54 vjeç. Tutje, komunat që prijnë për nga numri i të diagnostikuarve me këtë sëmundje janë Prishtina, Prizreni dhe Peja, ndërsa duhet theksuar se ndonëse Klinika Onkologjike nuk posedon të dhëna lidhur me rastet, të cilat kalojnë në metastazë, por mendohet që rekurencë të sëmundjes në formë të progresit metastatik kanë rreth 30 % të pacienteve”, thuhet në komunikatën e organizatës “Renesansa”.

Konferenca, e cila është e para e këtij lloji në Kosovë, u pa nga të pranishmit si një hap i domosdoshëm në kohë shumë të nevojshme për të adresuar problemet, sfidat dhe për të ofruar alternativa efikase sa i përket sensibilizimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit në Kosovë. /Zëri