Teatri – shuarja e kujtesës dhe ndezja e politikës

Teatri – shuarja e kujtesës dhe ndezja e politikës

Në të gdhirë të së dielës, pjesëtarë të Policisë së Shtetit dhe njësive speciale po shpejtonin drejt qendrës së Tiranës. Cak nuk ishte bastisja e ndonjë vendi të dyshuar dhe as ndjekja e krimit. Ata u futën brenda ngrehinës së Teatrit Kombëtar në kryeqytetin shqiptar, duke nxjerrë jashtë artistë e aktivistë që për dy vjet e kishin shndërruar mbrojtjen e ngrehinës në kauzë. Ka mjaftuar një lëvizje e mekanizmit zgjatës të buldozerit që pjesa ballore e “Teatrit Kombëtar” të shembej si kullë prej letre.

37 të arrestuar dhe disa policë të lënduar ishte epilogu i protestës të së dielës. Edhe krerët e opozitës, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, do të procedoheshin penalisht për pjesëmarrje në protestë të paligjshme.

Në hapësirën prej rreth 13 mijë metrash katrorë tashmë gjenden vetëm rrënojat e kompleksit që nuk ekziston.

Projeksione të ndërtesës së ardhshme të arkitektit nga Danimarka, Bjarke Ingels, kanë zënë vend me të madhe: për ngrehinën postmoderne kryeministri Edi Rama ka thënë se do të pëlqehet nga të gjithë.

“Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje”, kishte shkruar Rama një ditë pas shembjes, shkruan KOHA.

Për dy vjet me radhë, godina në qendër të Tiranës ka përftuar diskutime të pafundme prej strukturës së saj arkitektonike e deri te historia jo fort e njohur. Dikush madje e kishte quajtur atë si një “dopolavoro” (vend dëfrimi për ushtarët italianë). Në korrik të vitit të kaluar, kryeministri Rama kishte publikuar një ekstrakt nga një intervistë e vjetër e përkthyesit, Jusuf Vrioni. Duke evokuar kujtime nga Tirana e dikurshme, ai kishte thënë se plot objekte kryeqytetase, përfshirë godinën e Teatrit, ishin bërë nga një material i dobët që nuk qëndronte më shumë se 25 vjet.

“Unë e ndaj atë preokupimin e njerëzve të teatrit, por si ndërtesë, me rregullat e konstruksionit, ajo duhet rrëzuar absolutisht”, kishte thënë Vrioni në intervistën e dhënë para njëzet vjetësh me gazetarin Blendi Fevziu.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.