Teknologjia i ka dhënë dinamikë lojës teatrore

Teknologjia i ka dhënë dinamikë lojës teatrore

“A ka vend teknologjia brenda teatrit?”, është një pyetje që ka nxitur debate veçanërisht gjatë kësaj kohe të pandemisë, kur teatrit akoma nuk i është kthyer normaliteti. Regjisore, të cilat kanë një jetë që ia kanë kushtuar teatrit e që kanë përdorur teknologjinë edhe më herët, kanë diskutuar për mundësitë që fshihen brenda saj. Ani pse jo për të dhënë një përgjigje të prerë, ato kanë vënë në pah disa aspekte të kësaj teme.

Në mesin e tyre ishte edhe regjisorja Burbuqe Berisha. Diskutimi “Aleanca Dinamike e Teatrit dhe Teknologjisë” u mbajt në kuadër të ciklit me debate që po organizon “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award”.

Në këtë garë Berisha ishte në mesin e 27 grave të nominuara nga 18 vende të botës. E për këtë çmim prestigjioz që njeh kontributin e grave në botën e teatrit, nga Kosova ishte nominuar edhe aktorja Ilire Vinca dhe regjisorja Zana Hoxha. Vinca të shtunën ishte pjesë e diskutimit “Edukimi teatral: Të kalosh përtej skenës”, ku ka biseduar për praktikat e ligjërimit, gjersa Berisha ka treguar për ndërthurjen e dy mediumeve të saj më të rëndësishme: teatrit dhe filmit.

Në panelin e moderuar nga Abigail Zealey Bess, përveç Berishës kanë diskutuar edhe Lupe Gehrenbeck nga Venezuela, Faynia Williams nga Anglia dhe Avra Sidiropoulou nga Greqia.

Regjisorja Faynia Williams ka thënë se gjithmonë e ka pasur me rëndësi që të diskutojë tema me rëndësi duke nxitur pyetje dhe pa dhënë me domosdoshmëri përgjigje.

“Kritikët kanë thënë gjithmonë që puna ime është goxha filmike dhe nuk e di se përse e thonë këtë, ndoshta ka të bëjë me mënyrën se si unë e shfrytëzoj hapësirën duke luajtur me pamje të gjera dhe të ngushta e që ndoshta e krijon atë përshtypje”, ka thënë ajo. Pikërisht këto kritika e kishin shtyrë në të ardhmen që të përdorte imazhe filmike brenda projekteve të saj teatrale.

“Kam kuptuar dallimin e madh në mes të teknologjisë dhe realizimit të atypëratyshëm të shfaqjeve teatrale. Unë gjithmonë i jam frikësuar teknologjisë, por kam nisur që të kuptoj se ka mundësi të mëdha për të përdorur të njëjtën, kështu që kam nisur që ta inkorporoj në punët e mia sigurisht duke ua mësuar këtë edhe aktorëve”, ka thënë ajo.

E regjisorja Avra Sidiropoulou, e cila eksperimenton goxha shumë me projektorët dhe kostumografi gjatë shfaqjes, ka thënë se teknologjinë e ka parë si një mundësi për të manipuluar gjatë shfaqjes. Ka thënë se në shfaqjet e saj përdorur zëra të ndryshme e imazhe të cilat shfaqen, si për shembull në fustanin e protagonistes për të vënë në lojë një karakter tjetër ose për të shfaqur përmes tyre mendimet e vetë aktores.

“Ka disa barriera brenda teatrit dhe teknologjia na mundëson që t’i kalojmë këto barriera dhe jo vetëm që t’i japin një ngjyrim më të mirë për nga pamja e shfaqjes”, ka thënë ajo.

Regjisorja Lupe Gehrenbeck ka thënë se ajo ka dashur që gjithmonë përmes punës së saj të tregonte gjëra që janë specifike për vendin e saj pa iu përshtatur trendëve ndërkombëtarë. Ka shtuar se çdoherë ka kërkuar që të bënte teatër për ato çështje që e preokuponin vendin e saj duke nxitur pyetje specifike dhe duke kërkuar për përgjigje. Aty nisi edhe përdorimi i filmit në shfaqje teatrale.

“Kam dashur që të kem një provë të realitetit. Një mbështetje për teatrin të cilin e kam përdorur”, ka thënë ajo. Herën e parë i kishte pyetur disa vajza se çfarë duan ato që të bëhen profesionalisht në mënyrë që të kuptonte se çfarë duan të bëjnë dhe aty ka kombinuar realitetin me të ardhmen duke dashur që të përshkruante se si do të jetë e ardhmja e grave në Venezuelë.

E regjisorja Burbuqe Berisha ka thënë se teatrin edhe filmin i ka pasur gjithmonë përkrah njëra-tjetrës.

“Para se me hy në teatër kam menduar një shfaqje me tri gra, të cilën asnjëherë nuk e kam publikuar, por që së fundi po mendohem që t’i rikthehem. Mandej jam regjistruar në Fakultetin e Arteve, ku kishte teatër dhe film, por ani pse teatrin e kam pasur më shumë për zemër, kam punuar paralelisht gjithmonë si në teatër ashtu edhe film”, ka thënë ajo. E sa i përket përdorimit të teknologjisë ka thënë se nuk është se ka eksperimentuar shumë.

“Jam munduar që ta ruaj teatrin ashtu të virgjër pa e përfshirë shumë me teknologji, edhe pse ka shumë gjëra për teatër që i kam inkuadruar, si drita, pjesa e kolonës zanore, mënyra e transmetimit e të gjitha”, ka thënë ajo. Ka treguar se si motiv kryesor e ka pasur gjithmonë përditshmërinë dhe luftën për liri.

“Në veprat e mia nuk kam pasur teknologji, por sa kam qenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe tani në Teatrin ‘Faruk Begolli’ gjithmonë i kam përkrahur regjisorët e tjerë që kanë përdorur video në projektet e tyre”, ka thënë ajo. Ka shtuar se inkurajon të gjithë ata që janë marrë me teatër që ta duan punën e tyre, të largojnë paragjykimet dhe të nxjerrin me të mirën nga ai.

Përveç këtyre dy debateve janë realizuar edhe tri të tjera: “Si të vazhdosh e të krijosh kur gjithçka përreth po rrëzohet”, “Gratë në skenë dhe në rrugë: Tre krijuesit kryesorë të Bejrutit” dhe “Rritja e vetëdijesimit social dhe nxitja e ndryshimeve përmes teatrit”. Debati ku ishte regjisorja Berisha ka përmbyllur këtë cikël.