Testohet zyra e kryeministrit për koronavirus, por jo edhe stafi i Emergjencës në Viti pas kontaktit me të infektuarin

Testohet zyra e kryeministrit për koronavirus, por jo edhe stafi i Emergjencës në Viti pas kontaktit me të infektuarin – Lajmet e fundit



Kanë hyrë në ditën e 6-të të karantinës 17 mjekët dhe infermierët e Komunës së Vitisë, të cilët u obliguan të futen në vetizolim për shkak se patën kontakt me 77-vjeçarin, i cili u konfirmua me COVID-19.

E përkundër kësaj deri më tani askush prej këtyre mjekëve nuk janë testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për të parë nëse janë prekur nga ky virus, raporton KOHA.

Drejtoresha e QKMF-së në këtë komunë, Vjollca Kadolli, e cila gjithashtu është vetizoluar, ka bërë të ditur se mjekët e infermierët janë duke qëndruar nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa një tjetër është vetizoluar brenda ambienteve të Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Kadolli ka thënë se izolimi i këtij numri të madh të mjekëve dhe infermierëve në Komunën e Vitisë ka vështirësuar punën e stafit atje.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, kishte thënë ditë më parë se këta mjekë do të testohen vetëm në rast se shfaqin shenja deri në dy javët e ardhshme.

Por, megjithëkëtë, Instituti i Shëndetit Publik e ka testuar gjithë kabinetin qeveritar pa pasur ndonjë simptomë për koronavirus.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri dhe stafi i kabinetit të tij janë udhëzuar të testohen, shkaku i natyrës së punës dhe takimeve me delegacione vendore e ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Qeverisë nuk ka bërë të ditur se sa është numri i zyrtarëve që janë testuar.

“Duke pasur parasysh natyrën e punës së kryeministrit dhe stafit të kabinetit të tij, natyrë kjo që parasheh takime të shpeshta me delegacione vendore dhe ndërkombëtare në funksion të kryerjes së detyrave zyrtare, dhe në kuadër të masave të nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19, kryeministri dhe stafi i kabinetit të kryeministrit, si masë kujdesi të shtuar, janë udhëzuar që t’iu nënshtrohen analizave. Rezultatet nga analizat kanë dalë negative për të gjithë. I ftojmë të gjithë të vazhdojnë me respektimin e masave të vendosura nga Qeveria dhe këshillave të profesionistëve”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Xhemajl Selami, thotë se janë mjekët ata që duhet të testohen së pari për shkak të kontaktit të parë me të infektuarit e mundshëm, derisa ai këtë situatë e quan diskriminuese.

Por, Ministri i Shëndetësisë këtë të enjte nuk ka dhënë sqarime se përse mjekëve në Viti ende nuk u është bërë testimi, por vetëm ka kërkuar durim nga ta.

Kosova nuk e ka luksin të mbajë në karantinë stafin mjekësor për faktin se komunat e Kosovës janë duke u përballur me mungesë të madhe të stafit mjekësor, sidomos infektologëve.