Thaçi përgëzon deputetët që votuan qeverinë “Hoti”

Thaçi përgëzon deputetët që votuan qeverinë “Hoti” – Lajmet e fundit


Foto: Laura Hasani


Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët votuan Qeverinë e re, transmeton “Zeri.info”.

Thaçi ka thënë së për qytetarët e vendit është një ditë e rëndësishme, duke i uruar suksese Qeverisë së re në përmbushjen e programit qeverisës. Ai po ashtu i ofroi bashkëpunim të plotë në agjendën kombëtare dhe ndërkombëtare.

“I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Tutje Thaçi thotë se me bashkëpunim ndërinstitucional mund të rimëkëmbet ekonomia.

“Me bashkëpunim dhe me koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, ka përfunduar Thaçi.