Thaçi uron për Fiter Bajram, bën thirrje për kujdes dhe ndalje të vizitave tek të afërmit

Thaçi uron për Fiter Bajram, bën thirrje për kujdes dhe ndalje të vizitave tek të afërmit – Lajmet e fundit



 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e festës së Fiter Bajramit, ka shprehur urimet e tij drejt popullit shqipëtar dhe qytetarëve të Kosovës të cilët i përkasin fesë islame.

Për muajin e Ramazanit, Thaçi tha se ishte i vështirë për myslimanët pasi e kaluan të izoluar në karantinë duke mos pasur mundësinë të bëjnë ritualet e njëjta që bëjnë zakonisht për muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Besimtarët myslimanë sot e kanë ditën e fundit të agjërimit dhe e përfundojnë muajin e Ramazanit. Ky muaj i madhërishëm sivjet ishte më ndryshe për shkak të pandemisë, por ai forcoi besimin, durimin dhe disiplinën fizike e shpirtërore te çdo besimtar.Njëkohësisht me urimin që agjëruesve t’u jenë pranuar sakrificat dhe lutjet, besimtarëve myslimanë ua uroj Fitër Bajramin, i cili është gëzim i përbashkët dhe vazhdim i bujarisë dhe bamirësisë ndërnjerëzore”, ka shkruar Thaçi.

Më tutje Thaçi ka bërë thirrje për kujdes dhe shmangje të vizitave familjare gjatë ditëve të festës, kjo pasi siç shprehet edhe ai, rreziku nga virusi ende nuk ka kaluar, përcjell “Zëri.info”.

“Rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar, prandaj u bëj thirrje që në këto ditë feste të shmangen vizitat tradicionale te njëri-tjetri, sepse vetëm me disiplinë dhe kujdes të shtuar mund t’i gëzohemi së shpejti edhe tejkalimit të kësaj situate”, ka shkruar Thaçi.