Featured Image

Themelohet zyra koordinuese për Diasporën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se sot është marrë vendimi për themelimin e zyrës koordinuese për Diasporën në kuadër të Kryeqytetit, përcjell KultPlus.

Rama përmes një shkrimi në Facebook tha se hapja e zyrës koordinuese për Diasporën në nivel lokal ishte nevojë dhe kërkesë e kahershme, duke shtuar se sot ai po përmbush edhe një nga premtimet e tyre.

Sipas tij, kjo zyrë koordinuese, e cila do të funksionalizohet shumë shpejt, në vete do të ngërthejë këto aktivitete:

3.1. Organizimi i ngjarjeve që synojnë promovimin e partneriteteve të reja biznesore, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të huaja nga diaspora në Kryeqytet. I përgjigjet pyetjeve të diasporës lidhur me zhvillimin e biznesit dhe investimeve te tyre në Prishtinë;

3.2. Ofrimi i këshillave në lehtësim të procedurave administrative dhe shërbimeve të dhëna nga Komuna, veçanërisht gjatë fluksit të madh të vizitorëve nga diaspora gjatë sezonit të pushimeve;

3.3. Zhvillimi dhe shpërndarja periodike e përmbajtjeve të rëndësishme informative me rëndësi për diasporën lidhur me zhvillimet në Kryeqytet, me theks të veçantë në çështjet ekonomike por edhe kulturore;

3.4. Zhvillimi i një mekanizmi për të mundësuar transferimin e njohurive dhe aftësive nga profesionistët e diasporës në departamente të ndryshme komunale (mund të ketë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim si trajnime, mentorime, seminare, vlerësime të projekteve, lehtësim i lidhjeve me institucionet, organizatat përkatëse. jashtë vendit);

3.5. Vendos në shfrytëzim marrëdhëniet dhe ndikimin e pjesëtarëve të diasporës në vendet e tyre rezidente, për të promovuar turizmin, produktet vendore dhe sektorë të tjerë ekonomik me interes për Kryeqytetin. Pjesëtarët e diasporës mund ta luajnë lehtësisht rolin e ambasadorit të Komunave në fusha të ndryshme në vendet rezidente;

3.6. Krijimi i databazës përfshirëse të pjesëtarëve te Diasporës nga Kryeqyteti;

3.7. Inicimi i krijimit të platformave filantropike në Diasporë, me qëllim të ofrimit të mbështetjes financiare në kauzat me interes të Kryeqytetit.

Diaspora jonë, paraqet elementin më fisnik e cila gjithmonë mban lidhjen me atdheun, dhe për kontributin tuaj të vazhdueshëm jemi përjetë mirënjohës! / KultPlus.com