Tirana, “kryeqytet” i folklorit nga vendi e bota

Tirana, “kryeqytet” i folklorit nga vendi e bota

Për tri ditë radhazi, Tirana do të bëhet “kryeqytet” edhe për ansamble vallesh nga rajoni e bota. Me edicionin e saj të parë, që po ia bën sefte, “International Folk Festival Tirana” (IFFT) do të mirëpresë qindra valltarë nga vendi, rajoni e bota.

Ansamble folklorike që mbrojnë ngjyrat e vendeve përkatëse do të shpalosin larushinë e kulturave dhe traditave të tyre përmes valleve, këngëve dhe muzikës.

I menduar si festival me karakter garues, IFFT është organizuar nga shoqata “FIDAF Albania”, e cila është pjesë e Federatës Botërore të Valleve.

Siç ka bërë me dije ditë më parë, Gëzim Alimehmeti, organizator i këtij festivali, në këtë edicion do të marrin pjesë ansamble nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja, Bullgaria, Polonia, Meksika dhe Kameruni.

Kështu, prej së enjtes deri të shtunën, Amfiteatri i Tiranës do të ndizet nga ngjyrat e artit dhe traditës.

Me mbrëmjet që fillojnë nga ora 20:00, sipari hapet me performimin e pesë ansambleve amatore nga Shqipëria.

Ndërkaq, vendi nikoqir do të jetë i përfaqësuar me trupën profesioniste të ansamblit folklorik “Tirana”. I gjithë organizimi bëhet në kuadër të planit të shpalosur ditë më parë nga Bashkia e Tiranës për sezonin e sivjetmë turistik. Me qëllimin të promovimit të vlerave folklorike e historike të kryeqytetit shqiptar, festivali synon t’i nxisë turistët e huaj për t’ia mësyrë Tiranës.

Sipas organizatorëve, nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë, ky festival do të shërbejë njëkohësisht edhe si promovues i vlerave të vendeve pjesëmarrëse.