Tirania e bukurisë ideale

Tirania e bukurisë ideale

Nga Gëzim Mekuli

Javën e kaluar në Kuvendin e Norvegjisë kaloi një ligji i ri në lidhje me reklamat. Këtu u vendos që reklamueset/reklamuesit që kanë përdorur filtër që ndryshon pamjen e tyre në mënyrë artificiale, ose nëse kanë kryer ndërhyrje kirurgjike estetike, duhet të shkruajnë e të informojnë publikun në mediat sociale për një gjë të tillë.

Kjo do të thotë se të gjithë ata/ato të cilët merren me reklamën ose që publikojnë artikuj të sponsorizuar në mediat sociale, duhet të tregojnë nëse kanë ndryshuar pamjen e tyre trupore. Kjo vlen për shembull nëse keni ndryshuar ngjyrën e lëkurës, keni bërë operacione estetike në fytyrë ose në trup. Qëllimi i këtij ligji është që të rejat dhe të rinjët të mos kenë presion për atë se si duken në aspektin trupor/estetik.

Sot, për fat të keq, ka shumë figura publike dhe ndikues/ndikuese* që kontribuojnë për një “bukuri ideale”, joreale dhe të pashëndetshme. Kjo për shkak se këta reklamues bëjnë ndërhyrje plastike dhe “redaktojnë” trupin e tyre në mënyrë që, në disa raste shfaqen si dikushi që nuk janë në të vërtetë fare. E kjo është e dëmshme.

Është e dëmshme sepse vajzat dhe djemtë e rinj e krahasojnë veten e tyre me ideale joreale të bukurisë dhe kjo krijon presion të madh psikologjik e fizik mbi trupin.

Në Norvegji ekziston paragrafi 21, i cili merret me praktikat e marketingut ndaj fëmijëve. Këtu përcaktohet qartë që marketingu nuk guxon të luajë me pasigurinë sociale, ndërgjegjen e vrarë, vetëvlerësimin e dobët ose të kontribuojë në presionin e trupit.

Të gjithë ne i duam fotografitë e bukura dhe i postojmë ato për të cilat mendojmë se janë të mira dhe që na bëjnë të lumtur. Por ky nuk është problemi. Problemi qëndron në fotografitë që manipulohen me aplikacionet e rregullimeve të fotografisë, ku ti mund ta bësh veten më të hollë, më seksi e më të bukur.

A duhet të flasim për tiraninë e bukurisë?

Ne shqiptarët duhet të diskutojmë kritikshëm për presionin e trupit që po bëhet tek të rinjtë dhe të rriturit përmes medias. Kjo tirani e bukurisë po ekspozon fëmijët dhe të rinjtë çdo minutë, çdo orë e çdo ditë…

Nuk është në rregull që oligarkët e mëdhenjë të bëjnë para nga pakënaqësia e trupit dhe nga vuajtja e dhimbja shpirtërore. Industria e bukurisë është cinike. Është cinike dhe e sëmurë sepse me prekjen e një butoni, ju mund të jeni 7 kg më të lehtë dhe “e pastër” nga defektet dhe tiparet e veçanta që na bëjnë vetëvetja – e për të cilat çdo ditë na thuhet se janë tipare të këqija, jo të bukura e të gabuara.

Duhet pranuar se shumë të rinjë po mashtrohen e po besojnë se trupat e redaktuara me skalper janë të arritshëm nëse blen “produktin e duhur”. E kjo ka të bëjë me shfrytëzimin e njerëzve me vetëbesim të dobët.

Të dashur lexues, atëherë kur edhe një 10-vjeçare ndihet shumë e trashë për të dalë në plazh për të notuar, ne duhet t’ï vemë gishtin kokës e të mendojmë se punët janë më shumë se keq.

Ju jeni të mirë ashtu siç jeni

Fëmijët e të rinjtë tanë janë të ekspozuar ndaj këtyre reklamave mediatike pa qenë të vetëdijshëm se ajo që ata shohin nuk është pasqyrim i realitetit, por vetëm një version i manipuluar, që është e pamundur të arrihet, pavarësisht se cilin produkt kozmetik e blen.

P.s. “Ndikuesit/Ndikueset” (pra reklamuesit) janë ata/ato të cilat fitojnë para nga mediat sociale, kanë shumë ndjekës dhe mund të ndikojnë tek njerëzit. / KultPlus.com