Tregu i sigurimeve, në 2019 u paguan rreth 52 milionë euro dëme, në rënie 8.6% nga një vit më parë, sa ishin kërkesat për tërmetin

Tregu i sigurimeve, në 2019 u paguan rreth 52 milionë euro dëme, në rënie 8.6% nga një vit më parë, sa ishin kërkesat për tërmetin

Kompanitë e sigurimit paguan vitin e shkuar 6.38 miliardë lekë (rreth 52 milionë euro) dëme bruto që ishte 8.6 për qind më pak se në vitin 2018.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e shpjegoi këtë rënie në raportin vjetor të tij, të dorëzuar tashmë në Kuvend, me dy argumente. Së pari në 2018 është paguar një dëm i konsiderueshëm në portofolin e zjarrit dhe së dyti dëmeve të paguara nga Fondi i Kompensimit që ishin të akumuluara ndër vite.

“Raporti dëme/prime neto në sigurimin (Jetë dhe Jo-Jetë) arriti në masën 37.1%, ndërsa raporti agregat i dëmeve të tregut (Jetë, Jo-Jetë dhe Dëme Fond Kompensimi) arriti nivelin 41.4%. Sipas ecurisë së pagesave të dëmeve bruto në vite rezulton se ulja e dëmeve vjen për shkak të një dëmi të paguar në portofolin e zjarrit në vitin 2018, rreth 1.1 miliardë lekë, si dhe i dëmeve të paguara për Fondin e Kompensimit, të akumuluara në vite, të paguara më së shumti në vitin 2018” thuhet në raport.

Kujtojmë që AMF bashkë me kompanitë e sigurimit u vendosën nën angazhimin për të shlyer një borxh të akumuluar ndër vite që kishte arritur në nivelin e 1.3 miliardë lekëve dhe që u kërkua me ngulm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të shlyhej në një periudhë 3-vjeçare. Kjo nuk u arrit që të bëhej brenda afatit 3-vjeçar duke u shtyrë edhe me një vit tjetër.

Sa i takon vitit 2019 shifrat e AMF tregojnë se pagesat për dëmet e Fondit të Kompensimit janë në vlerën rreth 604 milionë lek.

Dëmet nga tërmeti

AMF ka bërë një përmbledhje të situatës së tërmeteve dhe përgjigjes së kompanive të sigurimit ndaj këtyre fatkeqësive duke nënvizuar se vlerësimet paraprake tregojnë se vlera e kërkesave për dëmshpërblim deri në 31.12.2019, arriti rreth 487 milionë lekë, për ngjarjen e 21 shtatorit dhe 3.8 miliardë lekë për ngjarjen e 26 nëntorit.

“Tregu i sigurimeve e përballoi faturën financiare të dëmeve të ndodhura nga dy ngjarjet e tërmetit duke e ndarë edhe me shoqëritë e risigurimit. Bazuar në kontratat e risigurimit në fuqi për vitin 2019, për secilën ngjarje, vlera e dëmeve që pritet të paguhet nga tregu i sigurimeve arrin deri në 220 milionë lekë, ndërsa diferenca pritet të paguhet nga shoqëritë e risigurimit” thuhet në raportin vjetor të 2019 të AMF.