Tregu rumun i banesave përjeton “rënie të konsiderueshme” gjatë verës

Tregu rumun i banesave përjeton “rënie të konsiderueshme” gjatë verës

Tregu rumun i pasurive të paluajtshme rezidenciale vazhdon të regjistrojë rënie të çmimeve të apartamenteve, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në qytetet e mëdha.

Çmimet për metër katror arritën në 1,722 euro në korrik, 23 euro më pak në krahasim me muajin e kaluar, por gjithsesi 244 euro më shumë se një vit më parë, sipas Romanian Economic Monitor, projekt kërkimor, i drejtuar nga Universiteti Babeș-Bolyai, i cili përpilon të dhënat e pasurive të paluajtshme.

Të dhënat tregojnë edhe se çmimet e pasurive të paluajtshme në qytetet e mëdha, të cilat ishin në rritje që nga marsi i vitit 2020, kanë rënë midis majit dhe qershorit të këtij viti. Kështu ndodhi në qytetet më të mëdha të Rumanisë, si Bukuresht, Cluj-Napoca dhe Konstancë.

“Rritja e mprehtë e normave të interesit, është faktori kryesor që shkaktoi ulje të kërkesës për pasuri të paluajtshme”, tha Nagy Bálint Zsolt, anëtar i ekipit Romania Economic Monitor. Ai shtoi se vera është tradicionalisht një periudhë e qetë në tregun e pasurive të paluajtshme.

Zsolt tha se pothuajse 60% e transaksioneve kryhen me para në dorë, pa hipotekë, çka tregon se njerëzit kanë ende rezerva.

“Nga ana tjetër, norma e inflacionit duket se ka arritur një tavan dhe nëse ndodh dezinflacioni, atëherë automatikisht edhe normat e interesit hyjnë në pjerrësi rënëse, që do të thotë se kërkesa në tregun e pasurive të paluajtshme mund të rimëkëmbet”, tha ai.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, pronat e banimit në Rumani u vlerësuan me 4.6%, krahasuar me tre muajt e mëparshëm, duke shënuar rritje vjetore prej 14.3%.

Tregu i banesave ka qenë në një trend rritës që nga viti 2015. Çmimi mesatar i transaksionit të banesave, tejkaloi shumën prej 100,000 eurosh në gjysmën e parë të këtij viti, duke shënuar rritje prej rreth 10%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga RE/MAX Romania, një nga firmat kryesore të konsulencës për pasuri të paluajtshme në segmentin e shitjes me pakicë.

Shitjet më të mëdha të pronave në korrik 2022 u regjistruan në Bukuresht (11,370), Ilfov (3,417) dhe Cluj (2,923).

Numri i hipotekave në nivel kombëtar, në korrik 2022, ishte 23,656, 15% më pak se në korrik 2021, shumica e tyre në Bukuresht, Braila dhe Ilfov.