Turizmi veror ndriçon ekonominë e eurozonës, por kriza e kostos së jetesës e rrezikon atë

Turizmi veror ndriçon ekonominë e eurozonës, por kriza e kostos së jetesës e rrezikon atë

Pavarësisht një tremujori të dytë të mirë, ekonomistët ende mendojnë se rajoni do të bjerë në recesion.

I vendosur në një shkëmb në bregun e Amalfit, me pamje nga ujërat e kaltra të Mesdheut, Hotel San Pietro Positano po kalon vitin e tij më të mirë, pasi udhëtarët e lodhur nga pandemia, veçanërisht amerikanët, po dynden drejt Italisë.

Ky hotel, me ҫmime mesatare që shkojnë në 1,800 € nata për një dhomë këtë verë, pati një rritje të rezervimeve në prill dhe është rezervuar plotësisht deri në mes të tetorit. “Për dy vite, askush nuk mund të vinte,” tha bashkëpronari Vito Cinque. “Ndërsa tani po vijnë të gjithë.”

Bumi turistik i eurozonës, i nxitur edhe nga rënia e monedhës së përbashkët ndaj dollarit, është një dritë në fundin e tunelit të një rajoni për të cilin ekonomistët janë gjithnjë e më të shqetësuar se do të bjerë në recesion përgjatë gjysmës së dytë të këtij viti.

Shifrat e publikuara të premten treguan se ekonomia e zonës së monedhës u rrit me 0.7 për qind midis tremujorit të parë dhe të dytë, një rezultat më i fortë se parashikimi prej 0.1 për qind që pritej nga ekonomistët dhe një kontrast i mprehtë me shifrat e produktit të brendshëm bruto të SHBA për të njëjtën periudhë, të cilat treguan se ekonomia më e madhe e botës kishte pësuar rënie për të dytin tremujor radhazi.

Franca, Italia dhe Spanja patën shifra më të mira se sa pritej, teksa vizitorët që dynden drejt destinacioneve mesdhetare për të shijuar pushimet e tyre po ndihmojnë për të kompensuar ndikimin e rritjes së faturave të energjisë dhe të çmimeve më të larta të ushqimeve në kërkesën e brendshme.

Ignacio de la Torre, kryeekonomist në kompaninë e menaxhimit të aseteve Arcano, llogariti se gati një e treta e rritjes së tremujorit të dytë të Spanjës – e cila ishte 1.1 për qind, krahasuar me vetëm 0.2 për qind në tre muajt e parë të vitit – u nxit nga sektori i turizmit.

María Frontera, presidente e shoqatës së hotelierëve në ishullin spanjoll të Majorkës, tha se shkalla e zënies së dhomave arriti në 93 për qind këtë muaj, pesë pikë përqindjeje më shumë se në korrik të vitit 2019, verën përpara fillimit të pandemisë. “Ne presim nivele të ngjashme në gusht, ndërsa kërkesa për vjeshtën po vazhdon të rritet,” tha ajo.

Por, kur moti të fillojë të ftohet, bizneset dhe konsumatorët në Europë do të përballen me më shumë presion ekonomik. Lufta në Ukrainë ka bërë që fabrikat e rajonit, të cilat nuk ishin rimëkëmbur akoma nga pandemia, të përballen me probleme të reja në zinxhirët e furnizimit. Ekonomia e Gjermanisë, më e varur nga sektori i prodhimit, qëndroi në të njëjtat nivele përgjatë tremujorit të dytë, ndryshe nga pritshmëritë e analistëve që kishin parashikuar një rritje të lehtë. Kjo tregon se sa e rëndë është situata për ekonomitë e vendeve të veriut, të cilat mund të mbështeten më pak te sektori i hotelerisë.

Pushtimi i Rusisë dhe dyshimet lidhur me gatishmërinë e Moskës për të vazhduar me furnizimet e gazit në Europë kanë shkaktuar një rritje të kostove të energjisë për konsumatorët familjarë. Faturat janë rritur me 40 për qind gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa kostot e ushqimit janë rritur me 10 për qind gjatë së njëjtës periudhë, duke sjellë krizën më të keqe të kostos së jetesës në shumë dekada.

Marina Lalli, presidente e Federatës Kombëtare të Industrisë së Udhëtimit dhe të Turizmit në Itali, tha se resortet që u shërbenin familjeve të zakonshme italiane ishin nën presion. “Njerëzit e kanë të vështirë të paguajnë faturat dhe karburantin për makinat e tyre. Edhe çmimet e ushqimeve janë rritur gjithashtu. Italianët po vendosin ose që të mos shkojnë fare me pushime, ose, në vend që të qëndrojnë 10 ditë, ata po qëndrojnë një javë, ose vetëm tre ditë.”

Shifrat e besimit të publikuara javën e kaluar nga Eurostat, zyra e statistikave e Komisionit Europian, tregojnë se konsumatorët janë më ngurrues për të bërë blerje të mëdha se në çdo periudhë tjetër që nga muajt e parë të pandemisë.

Ky pesimizëm nuk ka gjasa ta ndalojë Bankën Qendrore Europiane që të rrisë akoma më tej normat në vjeshtë, pas rritjes së parë në shumë dekada ku u ndryshua norma bazë e depozitave duke u rritur me 50 pikë bazë në fund të korrikut.

“Ne presim që BQE të rrisë normën edhe me 100 pikë bazë të tjera deri në fund të vitit, për të ndihmuar në parandalimin e çdo rritjeje të pritshmërive të inflacionit, pasi ky i fundit do të rritet edhe më tej gjatë muajve të ardhshëm,” tha Holger Schmieding, ekonomist në Berenberg Bank.

Në përgjithësi, inflacioni i eurozonës u rrit në një nivel të ri rekord prej 8.9 përqind në korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas shifrave të publikuara nga Eurostat, zyra e statistikave e Komisionit Europian. Edhe indikatori bazë, i cili nuk llogarit rritjen e kostove të ushqimit dhe të energjisë, u rrit me 4 për qind – më shumë se dyfishi i objektivit 2 për qind të BQE-së.

Teksa normat e interesit rriten dhe turistët kthehen nga pushimet e tyre, ekonomistët presin që shifrat e rritjes të përkeqësohen – veçanërisht nëse intensifikohen tensionet me Moskën. Firma ruse e energjisë, Gazprom, ka reduktuar flukset përmes tubacionit të saj Nord Stream 1, i cili kalon nën Detin Baltik drejt ekonomisë më të madhe të Europës. Furnizimet tashmë janë vetëm sa 20 për qind e kapacitetit. Nëse nivelet vazhdojnë të jenë të tilla, ato do të shkaktonin një recesion të mprehtë në Europë.

“Ky tremujor sjell lajme të mira, por nuk na tregon shumë për shëndetin e ekonomisë,” tha Gilles Moëc, kryeekonomist në agjencinë franceze të sigurimeve Axa. “Çfarë do të ndodhë pasi të përfundojë vera?”/ Financial Times