“Udhëtim në kohë” me perlat muzikore shqipe në frymë të re

“Udhëtim në kohë” me perlat muzikore shqipe në frymë të re

Kur dritat e kaltra reflektojnë në skenë dhe kur gishtërinjtë nisin takimin me instrumente, që atëherë jepet alarmi për një udhëtim muzikor. Nuk i ngjan një rrugëtimi të largët ku mund të ndihen fryma e përvoja e huaj, por është shumë më e prekshme sesa kaq.

Në secilin melodi që dëgjohet, gjendet një copëz kalimi nga vendi në vend. Secila prej tyre krijon ura drejt pasurisë së këngës shqipe. Edhe më atraktiv tingëllon në tërësi koncerti duke qenë se ka elemente të modernes.

Pikërisht kjo bëhet edhe arsyeja bosht e interaktivitetit midis publikut me vetë artistët, të cilët kurorëzojnë me një lojë fantastike në skenë albumin e tyre të dytë, “Udhëtim në kohë”.

Nga trioja e zakonshme prej Adhurim Grezdës në vokal, Endrit Xërxës në kitarë e Dalvin Mamushës në violinë, tashmë “Don’t listen to your neighbors” u zgjerua përpara publikut në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë mbrëmjen e së enjtes edhe me pjesëmarrjen e Visar Kuçit në bas kitarë, Ervis Çaushit në fizarmonikë, Fatjon Miftarit në piano e Ardian Bakallit në bateri.

Me misionin e sjelljes para publikut të ngjyrave të shumta të muzikës së vjetër shqipe, puna e tyre dyvjeçare prej periudhës pandemike tashmë është kurorëzuar. Këtë e bën me një mesazh tejet të fuqishëm: domosdoshmërinë e njohjes së vlerave muzikore dhe kultivimin të tyre.

Përmbushjen e këtij mesazhi e nisin pikërisht që nga vetja, duke ripërpunuar gjithsej 13 këngë që secila prej tyre është një shpalosje historike e pasurisë kulturore. Karakteristikë e përpunimit të secilës është mbizotërimi i elementeve klasike, flamengo, orientale, jazzit, blues e muzikës gipsie.

“Ishte një ditë e muajit t’majit”, “Valle arbëreshe”, “A kanë ujë ato burime”, “Kroi i fshatit tonë”, “Jam bandil, trim i fortë”, “25 gërsheta”, “Malenake”, “Hala s’të ra ndërmend”, “Tash sa ditë e mot”, “Asaman, trëndafili i çelës”, “E vi ka deti”, “Valle e Shqipërisë së mesme” dhe në fund “Mallëngjimi” janë copëzat që e kompletuan mozaikun e tingujve që e hapën edhe edicionin e dytë të “Rame Lahaj International Opera Festival”. Madje, ajo që e ngriti atmosferën edhe më shumë te publiku u bë momenti kur përkrah bendit “Don’t listen to your neighbors” u ngjit në skenë edhe tenori Ramë Lahaj, për të interpretuar njëzëri me të pranishmit këngën “A kanë ujë ato burime”.

Vokalisti Grezda pranoi se përzgjedhja përveç aspektit të vlerave të këtyre këngëve ka përkuar edhe me përshtatjen vokalistike.

“Shumicën e këngëve që i keni dëgjuar sot janë këngë që të gjithë i njohin, por versionet tona janë diçka më e re që ne kemi menduar që është e duhura për të qenë ashtu”, ka thënë Grezda.

Ka treguar se format e reja të përpunimit janë pikërisht ato që e karakterizojnë stilin krijues të këtij bendi. Kur është pyetur për të përbashkëtat e këngëve ka thënë se është gjithëpërfshirja rajonale e trevave shqiptare.

Nga trioja e zakonshme prej Adhurim Grezdës në vokal, Endrit Xërxës në kitarë e Dalvin Mamushës në violinë, tashmë “Don’t listen to your neighbors” u zgjerua përpara publikut në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë mbrëmjen e së enjtes edhe me pjesëmarrjen e Visar Kuçit në bas kitarë, Ervis Çaushit në fizarmonikë, Fatjon Miftarit në piano e Ardian Bakallit në bateri

“Këngët e tjera shumica janë nga Berati, Shkodra, Durrësi, Korça. Këngë të pothuajse secilit vend që e bëjnë dallimin mes trevave”, ka thënë vokalisti.

Për përzgjedhjen e emërtimit të albumit, “Udhëtim nëpër kohë” ka thënë se nëpërmjet ndërhyrjeve në këngë të vjetra të përzgjedhura kanë tentuar të sjellin muzikë bashkëkohore.

“Albumi ka qenë (në punim e sipër) gjatë periudhës pandemike, gjatë asaj kohe kur ne u mbyllëm dhe kjo ka qenë e vetmja formë me gjallëru”, ka thënë ai. “Kështu lindi e gjithë ideja të bashkohemi të punojmë dhe sot ishte promovimi i gjithë asaj çka ne kemi provuar të bëjmë gjatë gjithë këtyre ditëve”.

Në aspektin e zgjerimit të orkestrës ka qenë sfidë më vete për shkak se çdo pjesë ka kërkuar më shumë angazhim.

“Mund të them se në çdo këngë kemi ndërhyrë me aranzhimet tona më moderne, kemi sjellë në mënyrë të re. Ka ndonjë këngë që ia kemi ndërruar krejt formën, ka mbetur vetëm teksti. Për shembull, ‘Kroi i fshatit tonë’ ka qenë veç poezi, ne e kemi bërë komplet muzikën e aranzhmanin, mund të llogaritet si këngë e re”, ka thënë kitaristi Endrit Xërxa.

Tjetër vështirësi për ta ka qenë edhe krijimtaria përgjatë periudhës pandemike, duke pasur parasysh kufizimet fizike.

“Ndjesi ndryshe për neve, por edhe për publikun, sepse kanë pasur rastin me dëgju shumëllojshmëri të ngjyrave”, ka thënë violinisti Dalvin Mamusha. “Ndryshimet në aspektin violinistik kanë qenë ndikimi klasik, por edhe rrymat e tjera flamengo, orientale, duke mos e harruar muzikën tonë shqipe. E ka karakterizuar albumin tonë që me pasë shumë lloj ngjyrash”.

Profesoresha universitare, Lejla Pula, ka çmuar mënyrën e përpunimit të këngëve dhe lojën e instrumentistëve në skenë.

“Për mua ishin shumë të dashura disa këngë që u interpretuan, por e fundit që e kam interpretuar me shumë kolege të mia, ‘Mallëngjimi’ është një nga perlat tona. Mirë e tha Adhurimi është si himn i Kosovës, vërtet po vetëdijesohemi që duhet ta kultivojmë muzikën shqipe, veprat tona duhet t’i ruajmë me xhelozi, s’guxojmë të harrojmë assesi”, ka thënë Pula.

Për “Rame Lahaj International Opera Festival” ka thënë se është pasuri e skenës muzikore, pikërisht përmes sjelljes së figurave të shquara operistike. Ka ritheksuar faktin se hapësira e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare është shndërruar në lokacion të organizimit të shumë festivaleve.

“Duhet të kemi entuziazëm që të bëjmë trysni ta shtyjmë sa më përpara të bëhet një ndërtesë ku mund të organizojmë ngjarje operistike dhe instrumentale, edhe të zhanreve të tjera”, ka thënë pianistja Pula. “Flasim shumë, s’mbesim pa i artikuluar problemet, dëshirat e nevojat, por si duket s’janë mundësitë që të shkojnë gjërat më shpejt”.