Ulen kuotat e peshkimit për portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës; 2 vitet e fundit zbresin 12% krahasuar me 2015-2018 

Ulen kuotat e peshkimit për portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës; 2 vitet e fundit zbresin 12% krahasuar me 2015-2018 

Pakësohen kuotat e ditëve të lejuara të peshkimit me rrjete për 2021 në portin e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës.

Sipas urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë i botuar në Fletoren zyrtare nga 23,124 ditë peshkimi që ishte në 2020 totali i ditëve të lejuara për peshkim këtë vit do të jetë 1,6 % më pak.  Për 2021 në total do të jenë 22,748 ditë të lejuara për peshkimin me rrjetë nga anijet të specieve, si: barbun, merluc, karkalec thellësie dhe skampi.

Nga data kur kuota është përmbushur Sektorit të Politikave të Peshkimit dhe Akuakulturës i lind e drejta për ndalimin e peshkimit edhe për rastin kur kuota ose kufiri i sforcos (përpjekjeve)  është arritur nga të gjitha ose një pjesë e anijeve të peshkimit të portit përkatës.

Në Shqipëri sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë viteve 2020–2021 do të vendoset një pakësim i përgjithshëm prej 12% mbi numrin e ditëve të peshkimit për tratat fundore (koçe) (quhet forma e peshkimit), krahasuar me mesataren e viteve 2015–2018. Kuota e lejuar e ditëve të peshkimit për vendet anëtare të Bashkimit Europian në 2021 është 137, 046 ditë peshkimi, ndërsa Mali i Zi nuk kalon limitin e 3,000 ditëve peshkim. Shpërndarja e ditëve të lejuar të peshkimit në Shqipëri llogaritet sipas formulës së ndarjes së sforcos (përpjekjeve) të peshkimit.

Kuotat e lejuara të ditëve të peshkimit u miratuan në maj të 2020 me  urdhrin për “Një plan menaxhimi shumëvjeçar për peshkimin fundor të qëndrueshëm në detin Adriatik”. Në dokument përcaktohej gjithashtu se çdo vit nga 1 korriku deri në 15 shtator se ndalohet peshkimi deri në gjashtë milje detare nga bregu ose katër milje detare për anijet që nuk lejohen të peshkojnë më shumë se gjashtë milje detare.

Kuotat e peshkimit, sipas porteve

Viti 2020

Durrës (56%) 13,000 ditë

Vlorë (11%) 2,500 ditë

Shëngjin (22%) 5,124

Sarandë (11%) 2,500

Viti 2021

Durrës (56%) 12,700 ditë

Vlorë (14%) 3,200 ditë

Shëngjin (21%) 4, 848 ditë

Sarandë (9%) 2, 000 ditë