UNICEF-i kërkon që të lirohen fëmijët që gjenden në Burgun e Lipjanit, rrezikohen nga infektimi me COVID-19

UNICEF-i kërkon që të lirohen fëmijët që gjenden në Burgun e Lipjanit, rrezikohen nga infektimi me COVID-19 – Lajmet e fundit



Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka kërkuar lirimin e fëmijëve që gjenden në qendrën korrektuese në Lipjan, pasi sipas tyre janë në rrezik të infektimit me COVID-19.

UNICEF, përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se kërkon nga institucionet e drejtësisë, që masat e ndëshkimit të tyre të zëvendësohen me burg shtëpiak, apo mbikryrje intensive nga prinërit.

“Anembanë globit, fëmijët ndodhen në sisteme të drejtësisë për të mitur duke përfshirë mbajtjen në paraburgim, të mbajtur në paraburgim për shkak të emigrimit apo për arsye të tjera administrative, të arrestuar në lidhje me konflikte të armatosura, siguri kombëtare apo aktivizëm, apo që jetojnë me prindër në paraburgim. Këta fëmijë dhe ata që janë në rrezik të marrjes së virusit për shkak kushteve themelore të shëndetit fizik dhe mendor duhet të lirohen. Në Kosovë, ne i ftojmë autoritetet gjyqësore ta rishqyrtojnë zëvendësimin e masave të paraburgimit dhe masat edukative për të miturit me masa të bazuara në shtëpi si arrest shtëpiak apo mbikëqyrje intenzive nga prindërit”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin ka vizituar Qendrën Korrektuese Edukative në Lipjan.

“Qendra ka fituar kapacitete të dukshme me mbështetjen e UNICEF-it gjatë dekadës së fundit. Kam takuar shumë të rinj në qendër të cilët janë duke marrë pjesë në programe të edukimit të bazuar në shkathtësi, duke përfshirë programin UPSHIFT. Këta të rinj janë të etur për t’u kthyer në shoqëri dhe për t’u bërë qytetarë produktiv. U bëjmë thirrje institucioneve dhe autoriteteve të tjera ndaluese që urgjentisht t’i lirojnë të gjithë fëmijët që mund të kthehen në mënyrë të sigurt tek familjet e tyre apo në alternative të tjera. Alternativat tjera përfshijnë kujdesin nga familja e gjerë, nga familjarë të tjerë apo me bazë në komunitet.

UNICEF-i po ashtu bën thirrje për shtyrje të menjëhershme të afatit për pranimet e reja të fëmijëve në qendrat e mbajtjes.

UNICEF-i dhe Aleanca për Mbrojtjen e Fëmijëve në Veprimin Humanitar, së bashku me organizatat më të mëdha për të drejtat e fëmijëve, akademikët dhe agjencitë e OKB-së kanë lëshuar  Udhëzues për veprimet kryesore që mund t’i ndërmarrin autoritetet për t’i mbrojtur fëmijët e privuar nga liria gjatë pandemisë.

Ata thonë se mbeten të gatshëm për t’iu ndihmuar autoriteteve në përgatitjen për lirimin e fëmijëve, duke përfshirë identifikimin e kushteve të sigurta.

“Të drejtat e fëmijëve për mbrojtje, siguri dhe mirëqenie duhet të mbështeten në çdo kohë, e sidomos gjatë krizave sikur ajo me të cilën bota po përballet sot. Mënyra më e mirë për t’i përkrahur të drejtat e fëmijëve në mbajtje në mesin e një pandemie të rrezikshme është lirimi i tyre i sigurt”,thuhet në komunikatë.