UNICEF-i sjell kontingjentin e parë të vaksinave në Kosovë, thotë se asnjë vend nuk do të lihet prapa

UNICEF-i sjell kontingjentin e parë të vaksinave në Kosovë, thotë se asnjë vend nuk do të lihet prapa – Lajmet e fundit

Foto ilustruese


Fondi Ndërkombëtar i Emergjencave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), programi në Kosovë, ka bërë të ditur se janë duke bashkëpunuar me partnerët e tyre për furnizimin e vaksinave në mbarë botën. 

UNICEF-i thotë se sëmundja COVID-19 është problem global, ndërsa COVAX-i është zgjidhja e këtij problemi, raporton Zeri.info.

“COVID-19 është një problem global dhe COVAX-i është zgjidhja globale. Vaksinimi i botës kundër kësaj sëmundjeje do të jetë operacioni më i madh i prokurimit dhe furnizimit të vaksinave në histori”, thekson UNICEF-i përmes një deklarate në Twitter. 

UNICEF-i thekson se janë duke punuar efektivisht duke u munduar që mos ta lënë asnjë vend mbrapa.

“UNICEF-i, Bashkimi Evropian në Kosovë, si dhe partnerët tanë, SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Franca, janë duke punuar gjatë gjithë kohës për të siguruar që asnjë vend të mos mbetet prapa”, ka theksuar programi i UNICEF-it për Kosovë. 

Kujtojmë se sot në orën 20:15, në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës pritet të arrijnë dozat e para të vaksinës anti-COVID, prodhim i “AstraZeneca”. Këto vaksina janë mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX. /Zëri/