Ushtarët amerikanë përfundojnë misionin në Kosovë

Ushtarët amerikanë përfundojnë misionin në Kosovë – Lajmet e fundit



Më shumë se 150 anëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Alaskës të caktuar në Batalionin e Parë, Regjimentin e 29-të të Këmbësorisë, kanë arritur në shtëpitë e tyre në SHBA pasi përfunduan misionin e tyre në Kosovë.

Kishin kaluar më shumë se 10 muaj që kur këta ushtarë qëndruan larg ajrit të freskët malor të Alaskës. Dhe më në fund ata ishin në shtëpitë e tyre.

Për shkak të masave mbrojtëse ndaj pandemisë ata nuk u pritën si zakonisht. Por, brohoritjet u zëvendësuan me një “mirëpritje në shtëpi” dhe një “punë e shkëlqyer” nga udhëheqja e lartë e Gardës së Ushtrisë së Alaskës derisa ushtrët zbritnin shkallët.

“Shtrëngimi i duarve u zëvendësua me prekje bërrylash. Sidoqoftë, krenaria për një punë të bërë mirë dhe entuziazmi i mbërritjes në shtëpi ende rrezatonte nga fytyrat e anëtarëve të Gardës, ndërsa ata ecnin nga dyert e daljes në aeroport”, thuhet në faqën e ushtrisë amerikane.

“Nuk mund të jem më i gëzuar sesa sot që do të shoh familjen time”, tha Justin Kompkoff, një këmbësor i Gardës.

“Është surreale. Jam shumë i lehtësuar që kjo ka mbaruar dhe mezi pres një periudhë pushimi pushimi”.

Ata u pritën me përqafime të ngrohta nga familjarët e tyre.

Megjithatë, për shkak të koronavirusit ata do të qëndrojnë në karantinë edhe për 14 ditë.

“Me historinë e konfliktit etnik në Kosovë, është e rëndësishme që SHBA të ketë një prani të dukshme ushtarake për të parandaluar armiqësitë”, tha koloneli Samuel Scott, njofton Klan Kosova.

Një nga detyrat kryesore të batalionit në Kosovë ishte monitorimi i linjave kufitare administrative të vendit dhe porteve të hyrjes për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt për njerëzit e Kosovës. Ushtarët bashkëpunuan me forcat e ligjit të Kosovës për të luftuar veprimtarinë e paligjshme si kontrabanda dhe trafikimi seksual.

Ushtria thotë se marrëdhëniet e ushtarëve me komunitetin ishin një pjesë thelbësore e jo vetëm sigurimit të informacionit, por zhvillimit të marrëdhënieve dhe dhënies së ndihmës bashkive përreth me projekte lokale, si ndërtimi i kishave dhe shpërndarja e ushqimit.

“Misioni i parë për mua ishte i shkëlqyeshëm dhe për djemtë që punuan shumë. Të punosh me aleatët e NATO-s dhe ndërtimi i lidhjeve me njerëzit e Kosovës ishte vërtet një përvojë e shpërblyeshme”, tha Trae Curtis, ushtar i këmbësorisë dhe student i Universitetit të Alaskas.