Utopi dashurie në Mekën e adhuruesve të Richard Wagnerit

Utopi dashurie në Mekën e adhuruesve të Richard Wagnerit

Spektatorët, ndër të cilët edhe ish-kancelarja Angela Merkel, një adhuruese e kompozitorit Richard Wagner, dhuruan shumë duartrokitje në premierën e operës “Tristani dhe Izolda” me të cilën u hap Festivali i Bayreuthit. Që pas aktit të parë pati duartrokitje të furishme, veçanërisht për sopranon, Catherine Foster, në rolin e Izoldës dhe tenorin, Stephen Gould, në rolin e Tristanit, të cilët kënduan ose vetëm ose në duet.

Regjisori Roland Schwab kishte zgjedhur për inskenimin e kësaj drame për dashurinë dhe vdekjen, një mjedis spartan dhe futurist për t’i dhënë hapësirë ​​dashurisë dhe muzikës së Richard Wagnerit, sipas filozofisë së të cilit njeriu mund ta gjejë vetveten vetëm përmes dashurisë, që është impuls i përgjithshëm dhe kuptim i jetës.

Në prag të Festivalit të Bayreuthit pati akuza të ndryshme për ngacmime seksuale ndaj punonjëseve. Drejtorja e festivalit, Katharina Wagner, ka thënë se për to ka mësuar vetëm përmes shtypit, sepse deri tani drejtuesit e festivalit nuk kanë marrë ende ndonjë ankesë të drejtpërdrejtë. Ajo ka shtuar se edhe vetë kishte përjetuar ngacmime të tilla, por si drejtore e festivalit kishte ditur të mbrohej dhe u bëri thirrje punonjëseve të prekura që ta kontaktojnë, dhe se ajo do t’i trajtojë këto raste si rreptësisht konfidenciale.

Ministrja federale e Kulturës, Claudia Roth, dhe ministri i Landit të Bavarisë për Shkencën dhe Kulturën, Markus Blume, iu bashkuan zërave, që kërkojnë një sqarim të pamëshirshëm të akuzave për ngacmime seksuale.

Ministrja e Kulturës, Claudia Roth, iu referua në konferecën për shtyp edhe luftës në Ukrainë dhe tha se aty se po zhvillohet një luftë, e cila drejtohet gjithashtu edhe kundër kulturës, sepse “Rusia po sulmon edhe institucionet kulturore në Ukrainë”.

Opera e Wagnerit “Tristani dhe Izolda” bazohet në një legjendë kelte. Sipas saj për të vendosur paqe mes popujve, vajza e mbretit irlandez, Izolda, i ishte premtuar si nuse xhaxhait të Tristanit, mbretit Marke, në Cornwall. Tristani, i cili dikur kishte vrarë Moroldin, vëllain e Izoldës, vjen me anije për ta marrë atë për xhaxhain e tij. Gjatë udhëtimit Izolda dhe Tristani pinë një pije magjike dhe bien në dashuri.

Një natë, kur kthehet nga gjuetia, mbreti Marke i kap të shoqen Izoldën dhe Tristanin të shtrirë në krevat në krahët e njëri-tjetrit. Ai e plagos Tristanin me shpatën e Moroldit. Izolda kujdeset për Tristanin e plagosur. Dikur Tristani vdes dhe më pas vdes nga mërzitja edhe Izolda.

Marrë nga “Deutsche Welle”