Vazhdimi i dytë i filmit “Bird Box” në zhvillim e sipër

Vazhdimi i dytë i filmit “Bird Box” në zhvillim e sipër

Një vazhdim i ri i filmit të njohur të vitit 2018, “Bird Box” është në zhvillim e sipër. Kështu ka bërë të ditur shkrimtari Josh Malerman, mbi romanin e të cilit ishte bazuar filmi i parë.

Romani i vitit 2014 ngjarja e të cilit zë vend në botën pas apokalipsit, ishte adaptuar nga Netflixi në film të metrazhit të gjatë dhe në rolet protagoniste i solli aktorët, Sandra Bullock, Trevante Rhodes, John Malkovich dhe Machine Gun Kelly. Ky projekt kinematografik u shndërrua në hit me t’u lansuar në platformën e njohur digjitale, ku arriti shifra rekorde të shikueshmërisë në historinë e ndonjë filmi origjinal të platformës digjitale Netflix.

“Bird Box” e rrëfen historinë e një gruaje të portretizuar nga Bullock, e cila e mundohet të mbijetojë në një botë ku një prani ogurzi e padukshme i shtynë njerëzit të bëjnë vetëvrasje. Për të mbijetuar, njerëzit duhet të jetojnë me sy të mbyllur, në mënyrë që këto krijesa të panjohura të mos arrijnë të kenë ndikim tek ta.

Nuk dihen shumë detaje rreth temës që filmi i ri do ta trajtojë, por besohet se do të bazohet në përmbledhjen e romanit vazhdues të Josh Malermanit me titull “Malorie”, i cili u publikua më 21 korrik të këtij viti.

Ngjarja e librit të ri zë vend 12 vjet pas “Bird Box”, që do të thotë se fëmijët e përfshirë në filmin e parë tani do të jenë tinejxherë. Po ashtu, përbindëshat kanë evoluar nga filmi origjinal, duke u bërë edhe më të frikshëm.

Ende nuk është konfirmuar nëse ylli hollywoodian, Sandra Bullock, do të jetë e gatshme të kthehet me rol në vazhdimin e dytë të filmit./ KultPlus.com