Vela për Vulinin: I shërben Vuçiqit ashtu si i shërbeu Millosheviqit

Vela për Vulinin: I shërben Vuçiqit ashtu si i shërbeu Millosheviqit – Lajmet e fundit



Blerim Vela, shefi i Stafit të Presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandar Vulin, pasi ky i fundit e ka fyer presidenten e Kosovës.

Reagimi i Velës erdhi pasi Vulini e ka fyer Osmanin për fizikun e saj.

“Këlyshi i Mira Markoviq gjatë viteve 1990 në JUL, Aleksandar Vulin është zëdhënësi i regjimit primitiv, të dhunshëm dhe seksist në Serbi . Vulin i shërben zotërisë së tij aktual, Aleksandar Vuçiq me të njëjtën forcë dhe përkushtim ashtu si i shërbeu Millosheviçit. E neveritshme!”, ka shkruar Vela në një postim në Tëitter.

Gjatë ditës së sotme ministri i brendshëm serb e ka fyer Osmanin.

“Nëse Osmani do të kishte fytyrë siç e ka barkun, për gënjeshtrat që thotë, gjatë do të përkulej para ‘shtëpisë së verdhë”, ka thënë Vulini, shkruan B92.

Kjo fyerje e tij erdhi pasi gazetari i ‘Der Spiegel’ kishte insistuar duke pyetur Osmanin se pse e përdor termin gjenocid për krimet që ka kryer Serbia.

“E kam zgjedhur nocionin gjenocid me vetëdije. Ai përshkruan qëllimin e një vendi për të shfarosur një komb. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. E kam fjalën për ngjarjet në Mejë, e njohur si ‘Srebrenica e Kosovës’, dhe në Poklek, ku jo vetëm janë vrarë 54 fëmijë dhe plaka, por pastaj edhe janë djegur. Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Willy Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”, ka thënë Osmani. /Zëri