“Vera andrron detin” në Venecie, sukses i radhës i valës së re kinematografike të Kosovës

“Vera andrron detin” në Venecie, sukses i radhës i valës së re kinematografike të Kosovës

Ai që mban namin e më të vjetrit festival të filmit në botë, Festivali i Filmit në Venecie (VFF), në takëmin e edicionit të sivjetmë do të shërbejë edhe një film nga Kosova. Historia e jashtëzakontë e një gruaje 64-vjeçare që interpreton gjuhën e shenjave – si syzheu i filmit “Vera andrron detin” – do të jetë pjesë e garës zyrtare në ngjarjen që hap siparin nga 1 shtatori.

Lajmin e ka bërë me dije të hënën Qendra Kinematografike e Kosovës nëpërmjet një afishimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

“Filmi i metrazhit të gjatë debutues ‘Vera andrron detin’ me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqi do ta ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë ‘Venice Film Festival’”, është thënë në njoftimin e QKK-së.

Po aty është bërë e ditur se filmi konkurron për çmimet: Filmi më i mirë, regjia më e mirë, çmimi Special i Jurisë, aktori dhe aktorja më e mirë si dhe skenarin më i mirë.

Në prononcimin zyrtar për QKK-në, regjisorja Kaltrina Krasniqi është shprehur e lumtur që filmi “Vera Andrron Detin” do ta ketë premierën në festivalin që ka qenë ëndërr për të.

“Ky është një vit i madh për kinematografinë tonë dhe gëzohem që filmi im bën pjesë në të”, është cituar të ketë thënë Krasniqi.

Më pas ajo edhe nëpërmjet një afishimi të shkurtër në llogarinë e saj në “Facebook” e ka bashkëndarë këtë lajm.

“Sekreti ka qenë zor të mbahej. ‘Vera andrron detin’ do ta ketë premierën e vet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie”, ka shkruar ajo.

Premiera në këtë alamet festivali, vjen pak kohë pas filmit “Pa Vend” të Samir Karahodës që garoi për “Plamën e Artë” si dhe filmit “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit që po ashtu në edicionin e 64-t të Festivalit të Filmit në Cannes, u dha premierë botërore në kuadër të programit paralel, “Director’s Fortnight”. Katër ditë më parë, u bë e ditur se bashkë me “Luaneshat e kodrës” e “Pa Vend” edhe filmi “Në kërkim të Venerës” i Norika Sefës, është treshja e Kosovës e përfshirë në konkurrencë zyrtare në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që cilësohet si eventi më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë.

“Rikthim i Hollywoodit”

Si një nga ngjarjet më të njohura në botën e filmit, “La Biennale di Venezia” në mëngjesin e së hënës nga Roma ka shpalosur programin e sivjetmë me një larushi filmash nga 59 vende të botës.

Pas adresimit të bërë online nga presidenti i festivalit, Roberto Cicutto dhe drejtori artistik Alberto Barbera, ky edicion rezulton të ketë një prani të fortë studiosh e titujsh filmash të Hollywoodit, ashtu sikurse edhe faktin që 26 për qind e filmave kanë regjisore femra.

Për njohësit e filmit, filma të profilit të lartë që mësyjnë garën zyrtare të kategorive të Festivalit përfshijnë “Spencer” nën regjinë e Pablo Larrain, “The Hand of God” të Paolo Sorrentino, “Sundown” nën regjinë e Michel Franco, “The Lost Daughter” nën regjinë e Maggie Gyllenhaal, “Official Competition” nën regjinë e Gaston Duprat dhe Mariano Cohn, “The Power Of The Dog” nën regjinë e Jane Campion, “Un Autre Monde” nën regjinë e Stephane Brize si dhe “Mona Lisa And The Blood Moon” nën regjinë e Ana Lily Amirpour.

Gjithnjë sipas njoftimit të organizatorëve, “Parallel Mothers”, nën regjinë e Pedro Almodóvar, do të hapë siparin e festivalit.

Bon Joon Ho do të kryesojë jurinë ndërkombëtare që përfshin edhe emra impozantë regjisorësh si: Chloé Zhao, Cynthia Erivo, Virginie Efira, Sarah Gadon, Saverio Costanzo dhe Alexander Nanau.

Një garë mes 19 filmash

E gara në kategorinë “Orizzonti” – që vë në pah trendët më të fundit në kinemanë ndërkombëtare nga talentet e rinj – del të jetë goxha sfiduese si për nga filmat. Kështu filmi nën regjinë e Krasniqit do të garojë me: “Atlantide” nën regjinë e Yuri Ancarani (Itali/Francë/ShBA/Katar); “Miracol” nën regjinë e Bogdan George Apetri (Rumani/Republika Çeke/Latvi); “Pligrimai” nën regjinë e Laurynas Bareisa (Lituani); “Il Paradiso del Pavone” nën regjinë e Laura Bispuri (Itali/Gjermani); “Pu Bu” nën regjinë e Mong-hong Chung (Taivan); “El Hoyo En La Cerca” nën regjinë e Joaquín del Paso (Meksikë/Poloni); “Amira” nën regjinë e Mohamed Diab (Egjipt/Jordani/Emiratet e Bashkuara Arabe/Arabia Saudite); “À Plein Temps” nën regjinë e Eric Gravel (Francë); “Cenzorka” nën regjinë e Peter Kerekes (Sllovaki/Republika Çeke/Ukrainë); “Les Promesses” nën regjinë e Thomas Kruithof (Francë); “Bodeng Star” nën regjinë e Kavich Neang (Kamboxhia/Francë/Kinë/Katar); “Wela” nën regjinë e Jakrawal Nilthamrong (Tajlandë/Francë/Holandë/Singapor/Gjermani); “El Otro Tom” nën regjinë e Rodrigo Plá (Meksikë/ShBA); “El Gran Movimiento” nën regjinë e Kiro Russo (Bolivi/Francë/Katar/Zvicër); “Once Upon a Time In Calcutta” nën regjinë e Aditya Vikram Sengupta (Indi/ Francë/ Norvegji); “Nosorih” nën regjinë e Oleh Sentsov (Ukrainë/Poloni/Gjermani) dhe “True Things” nën regjinë e Harry Wootliff (Mbretëri e Bashkuar).

Tashmë është bërë e ditur që juria e kësaj kategorie do të kryesohet nga regjisorja boshnjake, Jasmila Zhbaniq, e njohur për filmin “Quo Vadis, Aida?, kurse në përbërje do të ketë regjisoren dhe skenaristen norvegjeze, Mona Fastvold; filmbërësin iranian Shahram Mokri; kuratorin e departamentit të filmit në MoMA të New Yorkut, Josh Siegel si dhe shkrimtaren italiane, Nadia Terranova.

Edhe një regjisor shqiptar

Në këtë edicion, siç u bë me dije nga organizatorët, është njoftuar edhe për një kategori të re “Orizzonti Extra”, një degë e drejtuar kah publiku e që do të shpërblehet me një çmim nga audienca. Pikërisht këtu është përfshirë edhe filmi “La macchina delle immagini di Alfredo C” nën regjinë e Roland Sejkos. Ky film i krijuesit shqiptar që jeton në Itali, sjell historinë e një italiani që vjen në Shqipëri gjatë okupimit fashist dhe mbetet në Shqipëri tok me 27 mijë ushtarë e civilë italianë. Kështu, personazhi Alfredo C. shtrëngohet të punojë për pesë vjet në shërbim të propagandës së regjimit komunist.

Krasniqi: “Ndihem e nderuar…”

Shtatë vjet punë për filmin “Vera andrron detin” tashmë mund të konsiderohen të shpaguara për faktin që rrëfimi i filmit mund të ndahet me botën në një festival prestigjioz si ai i Venecias.

Në një prononcim për KOHËN, regjisorja Kaltrina Krasniqi ka thënë se ndihet tejet e nderuar që filmi i saj është bërë pjesë e një eventi të tillë.

“Ne kineastët i kemi tri adresa në planet ku na intereson që filmat tanë të konsiderohen: Berlinale, Cannes dhe Venice”, ka thënë Krasniqi.

Duke folur për filmin e saj, Krasniqi ka thënë se problemet e grave nuk janë të izoluara brenda një kulture ose kombi. Kështu, sipas saj, edhe kur flitet për Verën nga Kosova, nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht vetëm për shoqërinë kosovare, por për patriarkatin dhe modusin e tij të operimit.

“Pas shpërthimit të lëvizjes #metoo, gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara kanë filluar një dialog global mbi rrethanat e tyre politike e shoqërore; kjo lëvizje ka rikonfirmuar diçka që gratë e dinë që moti: pabarazitë me të cilat ballafaqohemi janë shumë të ngjashme prej këtu në Azi, ShBA e gjetiu”, ka thënë Krasniqi, për të shtuar se vetëm nuancat kulturore krijojnë “njëfarë iluzioni të pavarësisë për gratë, njerëzit me ngjyrë dhe komunitetin LGBTQ+”.

“Një valë e re kinematografike nga Kosova”

Në vazhdën e sukseseve të kinematografisë nga Kosova, e përfaqësuar në jo pak festivale të njohura në Evropë dhe botë, regjisorja nga Prishtina ka pranuar që gjatë dekadës së fundit ka pasur një zhvillim të hovshëm.

“Në princip ka qenë një gjeneratë e re kineastësh gra që e kanë përfaqësuar Kosovën vazhdimisht. Shpesh edhe duke korrur suksese e fituar çmime”, ka thënë ajo. Filmi nuk është ndërmarrje individuale, ka vijuar ajo, e ndaj edhe kineastët pas një viti spektakular presin një mbështetje ndjeshëm më të madhe institucionale.

“Edhe institucionet duhet të tregohen të mençura e ta shfrytëzojnë këtë moment kur vala e re e Kosovës – e quajtur #kosovonewwave ndërkombëtarisht – ka marrë këtë vëmendje”, ka thënë Krasniqi. “Një trajtim efikas institucional do ta soldifikonte praninë e industrisë sonë në Evropë dhe botë”.

Basha: Shteti ta prioritizojë filmin

Dramaturgia Doruntina Basha, e cila ka shkruar skenarin e “Vera andrron detin”, ka thënë se i gjithë ekipi ka punuar shumë gjatë kundrejt sfidave e pengesave të shumta gjatë rrugës.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur e krenare që kemi arritur këtu, të kemi premierë botërore në Venedik”, ka thënë ajo.

Po kështu, Basha ka vlerësuar se po kaq lajm i gëzueshëm është edhe suksesi i filmit nga Kosova i treguar gjatë kohëve të fundit.

“Ne, si industri e filmit, kemi aq shumë vëmendje ndërkombëtare momentalisht, shpresoj që kjo të shërbejë si sinjal për shtetin e Kosovës që ta prioritizojë filmin”, ka shtuar ajo.

Aktorja nga Shkupi, Teuta Ajdini-Jegeni – e cila ka një nga rolet kryesore në film – është shprehur e emocionuar që ëndrra e saj si e çdo aktori është bërë realitet.

“Ndjenja dhe emocioni i një artisti nuk është lehtë të kuptohet nga të tjerët se janë shumë të fuqishme që ngacmojnë thellë në shpirt kur arrihet suksesi”, ka thënë ajo.

Në luftë me autoritetin patriarkal

Ndryshe, filmi “Vera andrron detin” – pjesë e kastit të të cilit janë edhe aktorët: Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. – shpalos një rrëfim për Kosovën bashkëkohore. Një grua 64-vjeçare, interpretuese e gjuhës së shenjave, duhet ta sfidojë burrin e saj patriarkal për ta mbrojtur vajzën e tyre të cilën ai e ka zhbirësuar. Vera është e martuar me Fatmirin, një gjyqtar i pensionuar, në një martesë ku ai kontrollon gjithçka dhe ajo asnjëherë nuk e vë në pyetje autoritetin e tij.

Megjithatë, gjithçka ndryshon kur Fatmiri vendos ta ndajë trashëgiminë, në të cilën nuk e përfshin as gruan e as vajzën që e kanë rritur. Ky është projekti debutues për Doruntina Bashën si skenariste dhe Kaltrina Krasniqin si regjisore në film të metrazhit të gjatë.

Për këtë projekt, me producent Shkumbin Istrefin, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit të 2015.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Si më i vjetri festival në botë, Festivali i Filmit në Venedik është pjesë e “Treshës së Madhe” tok me Cannes dhe Berlinin.

I themeluar në qytetin lagunor të Italisë në gushtin e vitit 1932, edicionet e tij zakonisht mbahen në fund të muajit gusht ose në fillim të shtatorit në ishullin e Lidos. Shfaqjet zënë vend në ngrehën historike të “Palazzo del Cinema”. Me çmimin kryesor “Luani i artë” (Leone d’Oro), filmat garojnë në kategoritë “In Competition”, “Out of Competition”, “Orizzonti”, “Venice Classics”, “Sconfini” dhe “Venice Virtual Reality”.