Vetëm një rast i ri me koronavirus në Shqipëri

Vetëm një rast i ri me koronavirus në Shqipëri – Lajmet e fundit



Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri ka rezultuar vetëm 1 rast pozitiv me koronavirus në Tiranë, nga 177 testime të kryera për të dyshuar të prekur me COVID-19, ndërsa të shëruar janë 15 qytetarë.

Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri njofton se në Spitalin Infektiv gjendja paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre në terapi intensive, ndërsa prej më shumë se dy javësh nuk ka asnjë vdekje.

“Deri më sot janë kryer rreth 13 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 949 qytetarë. Prej tyre, rreth 78% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 176 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, në Durrës, në Krujë, në Shkodër”, tha doktoresha Adela Vasili.

Ajo theksoi se edhe pse situata paraqitet e kontrolluar, qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale dhe duke shmangur vizitat te të afërmit.