“Virgjëresha Shqiptare”, filmi përmbyllës i PriFest 14-të

“Virgjëresha Shqiptare”, filmi përmbyllës i PriFest 14-të

Filmi “Virgjëresha Shqiptare” në regji të Bujar Alimanit është filmi që do të mbyllë edicionin e 14-të të PriFest.

‘Albanian Virgin’ pati premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Varshavë ku fitoi edhe dy çmime.

“Jemi të lumtur që sikurse edhe hapja e PriFest-it, me filmin ‘‘Vera Andrron Detin’’, edhe në mbyllje do të kemi film në gjuhën shqipe, ’’Virgjëresha Shqiptare’’,  për më shumë edhe me pjesëmarrje të madhe të filmbërësve nga Kosova. E kemi thënë shumë herë, promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit” tha Fatos Berisha, bashkëthemelues i festivalit.

Ngjarja e filmit është e vendosur në Shqipërinë e vitit 1958: Luana është një grua me vullnet të fortë dhe rebele dhe e bija e një burri të respektuar. Një martesë e aranzhuar e detyron atë të mohojë dashurinë e saj për Agimin. Luana, e cila pati fatin të mësonte të lexonte, gjen një mënyrë për të udhëhequr luftën e saj për liri duke ndjekur kodin e fshatit, por çmimi personal është i lartë.

Filmi ‘Virgjëresha Shqiptare’ është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Gjermanisë, Belgjikës dhe Kosovës.

Regjia: Bujar Alimani, skenariste: Katja Kittendorf,  producentë: Anita Elsani, Lesley Bruce-Neary,

Tefta Bejko, Peter De Maegd, Tom Hameeuë, Besnik Krapi.
Aktorët: Rina Krasniqi, Shkurte Sylejmani, Nik Xhelilaj, Alban Ukaj, Astrit Kabashi, Kasem Hoxha, Gresa Pallaska, Jonida Vokshi, Çun Lajçi, Igli Zarka, Viktor Zhusti, Lum Veseli, Lulzim Zeqja, Blerta Syla, Aurita Agushi, Mimoza Azemi, Erion Hodo, Fatlume Bunjaku, Valmir Krasniqi, Blend Sadiku, Gëzim Rudi, Lurni Krasniqi.

PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit  ne data 20-25 shtator, dhe për herë të parë pa drejtoreshën e festivalit Vjosa Berisha e cila ndërroi jetë me 23 qershor të këtij viti. Ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj.
Vjosa. Forever. PriFest

Traileri i filmit: www.bit.ly/3zCOSzN