Viti 1999, kur civilët shqiptarë dëboheshin në Shqipëri e Maqedoni (FOTO)

Viti 1999, kur civilët shqiptarë dëboheshin në Shqipëri e Maqedoni (FOTO)

Me rastin e 22 vjetorit të përfundimit të luftës 1998-1999, Fondacioni Kosova Exodus99 ka publikuar një video ku ilustron përmes fotografive nga Asllan Krasniqi dëbimin e gati 1 milion shqiptarëve nga Kosova në pranverën e vitit 1999.

33 fotot ilustrojnë dëbimin, mbërritjen e të dëbuarve në Maqedoni dhe Shqipëri, qëndrimin e tyre në kampet e refugjatëve në këto dy vende, si dhe kthimin e tyre në atdheun e tyre pas përfundimit të luftës (12 qershor 1999), kur ushtria e Serbisë u largua nga Kosova.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Javier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit, kurse, Këshilli i Sigurisë së OKB-së, po në të njëjtën ditë, kishte miratuar rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, teksa nisi largimi i forcave serbe. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. / KultPlus.com