“Vizatimet n’letër” hap ditarët e artistes për rrëfimin intim

“Vizatimet n’letër” hap ditarët e artistes për rrëfimin intim

Vizatimet që ndër vite i ka realizuar në ditarët e saj personalë, artistja Nurhan Qehaja i ka kthyer në version të veprave në kornizë. “Vizatimet n’letër” është titulli i ekspozitës së hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Grumbulli i njerëzve është parë e bisedat e tyre janë dëgjuar që nga larg hapësirave të Galerisë, të mërkurën mbrëma. Arsyeja ka qenë ekspozita e kuruar nga Majlinda Hoxha.

Kornizat e bardha në mur kanë po të njëjtat punime nga ato të ilustrimeve në ditarët, në tavolinat ekspozuese të vendosura në mes të hapësirës. Ato janë të ilustruara me shkrime si “Guilt”, “The one who losës, the one who wins…”, “Fluids only”, “Small talk”. Përmbajnë forma të ndryshme si rrathë e ato që krijohen me hijezime stilolapsi, që në tërësi qëndrojnë si udhëzues për veprat e ekspozuara. Vizatimet bardhezi kryesisht dominojnë ndaj të tjerave, ndërsa ato me ngjyra vishen në të kuqe, të kaltër e në të verdhë.

Veprat e Qehajës synojnë ta zhysin vrojtuesin thellë në imagjinatë

Janë figura abstrakte por që në shikim të parë japin përshtypjen e valëzimeve, si ato të grafikave të shpërndarjes së frekuencave a fotografi të eksponateve të lashta. Si vizatime minimaliste, synojnë ta zhysin vrojtuesin thellë në imagjinatë. Vijnë të përsëritura për të siguruar secilin se rastësia nuk ekziston dhe se duhet të jenë të tilla që të kenë kuptim. Veprat e saj kërkojnë të zakonshmen kur ajo u nënshtrohet kohës dhe ndryshimit. Për ta bërë këtë artistja përdor veç një stilolaps dhe një letër.

“Për mua punimet e kanë ndjenjën e një grafike dhe mua më pëlqen si efekt, të arrij atë efektin e teknikës me dorë. Ka qenë proces i imi që çdoherë e kam bërë, janë ditarët që i kam bërë prej fillimit. Dhe me ato çdoherë kam vizatuar dhe kohëve të fundit kam vendosur t’i bëj më të mëdha”, ka thënë ajo derisa ka ritheksuar se veprat e ekspozuara janë të parat të këtij lloji. Ekspozitat e mëparshme kanë qenë me video e fotografi.

Qehaja njihet si mbajtëse fanatike e ditarëve. Fletorja dhe stilolapsi janë permanente në çantën e saj. Ditarët i ka përplot me vizatime të shpërndara, por shumë sistematike, ku shenjat sporadike dhe impulsive shfaqen mes rreshtash e frazash. Ato në fakt janë themel i vizatimeve në letër të Qehajës. Vizitorët i përjetojnë vizatimet e saj intime nga mundësia për të vështruar fletoret e saj në tavolina ekspozuese, e pastaj në kornizat në mur.

Kuratorja e ekspozitës Majlinda Hoxha është shprehur se ka kohë që e njeh krijimtarinë e Qehajës dhe se e di thellësisht teknikën e mënyrën sesi ajo krijon. Me shumë kënaqësi ka thënë se e ka marrë detyrën për të shprehur pjesën intime të saj, për faktin se është hera e parë që ajo ekspozon në një medium të tillë.

“Është një punë që e konsideroj intime, më shumë se videot dhe fotografitë që i bën. Kështu që i vlerësoj ato shumë. Janë të veçanta. Për mua është me rëndësi që të shihen nga publiku. Parimisht ato janë punë që si bazë i kanë ditarët e Nurhanit. Kjo ka qenë pikënisja”, ka thënë Hoxha.

Të ekspozuara në korniza si versione të ditarëve, ndryshojnë kontekstin kur ndryshojnë mënyrën e prezantimit tek publiku. Por nuk ndryshon baza e saj. Drejtorja e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, është shprehur se secila ekspozitë që mbahet në këtë institucion ka role të ndryshme. Hapjen e ekspozitës së artistes Nurhan Qehaja e ka vlerësuar si të duhurën pasi publiku vendor e i huaj i bienales “Manifesta 14” mund të njihet nga afër me krijimtarinë e saj.

“Është e rëndësishme për ne, pasi është koha kur edhe ‘Manifesta’ po mbahet. Ne presim vizitorë të huaj dhe vendorë. Kuptohet se ka më shumë vizitorë, kështu që për artisten është shumë mirë që është hapur ekspozita në këtë periudhë, por edhe për ne si institucion është shumë me rëndësi të kemi sa më shumë vizitorë”, ka thënë ajo, derisa është shprehur se secila ekspozitë që mbahet në Galeri ka rëndësinë e saj, qoftë personale a kolektive.

Deri disa ditë më parë në galerinë “Qafa” ka qenë e hapur ekspozita “Loja” me veprat e maestros Nusret Salihamixhiqi (1931-2011), “Vizatimet n’letër” do të jetë e hapur deri më 20 shtator.