Vlera e Koloseut si aset social

Vlera e Koloseut si aset social

Koloseu i Romës është monumenti më i njohur dhe historik i qytetit, dhe ndoshta i së gjithë Italisë.

Ai mund të jetë gjithashtu edhe atraksioni që sjell më shumë para për vendin.

Amfiteatri gati 2,000-vjeçar ndodhet në zemër të Romës së lashtë dhe natyra e tij emblematike ka shtuar kureshtjen e shumë udhëtarëve në botë, duke tërhequr mbi shtatë milionë vizitorë çdo vit përpara pandemisë.

Koloseu kontribuon me rreth 1.39 miliardë euro (rreth 1.4 miliardë dollarë) në vit për PBB-në e Italisë nga turizmi dhe aktivitetet e lidhura me to, përveç punësimit të rreth 42,700 punonjësve me kohë të plotë, sipas një raporti të ri të publikuar këtë javë nga kompania e shërbimeve financiare Deloitte.

Por, vlera aktuale e këtij monumenti në Itali mund të jetë në fakt shumë më e lartë.

Raporti i Deloitte, i titulluar “The value of an iconic asset: the economic and social value of the Colosseum” (Vlera e një aseti ikonë: vlera ekonomike dhe sociale e Koloseut), llogarit si vlerën e drejtpërdrejtë të ndërtesës historike për ekonominë e Italisë, ashtu edhe rëndësinë e saj sociale ose “vlerën e ekzistencës”, të përcaktuar si përfitimet e paprekshme që italianët marrin nga vlera “ikonike” dhe “simbolike” e Koloseut.

Sipas raportit të Deloitte, duke marrë parasysh edhe vlerën sociale të Koloseut, vlera e monumentit është rreth 77 miliardë euro (78 miliardë dollarë).

 

 

Llogaritja e vlerës sociale

Qasja e Deloitte për të llogaritur vlerën sociale të Koloseut për botën mbështetej kryesisht te ndjenjat e italianëve për monumentin e tyre të famshëm.

“Për një pasuri ikonë si Koloseu, është e nevojshme t’i referohemi në fakt një dimensioni vlere që përfshin edhe vlerën e prekshme, edhe atë të paprekshme. Në këtë kuptim, vlera jomateriale e Koloseut mund të jetë më e madhe se vlera që lidhet me përfitimet ekonomike që mund të sjellë ai”, – tha në një deklaratë Marco Vulpiani, kreu i vlerësimeve financiare në Deloitte Central Mediterranean, i cili drejtoi projektin.

“Vlera e tij nuk është vetëm vlerë ekonomike, por mbi të gjitha është vlerë sociale”, shtoi ai.

Vulpiani tha se vlera indirekte sociale e Koloseut është pjesërisht e lidhur me “kënaqësinë e të qenët afër dhe të pamjes së një vendi ikonë, i cili është unik dhe madhështor”, duke përmendur çmimet e larta të pasurive të paluajtshme në afërsi të amfiteatrit.

Por “vlera e vërtetë e ekzistencës” së një monumenti mund të llogaritet vetëm nga sa investojnë italianët në ekzistencën e tij të vazhdueshme, pavarësisht nëse përfitojnë prej monumentit apo jo.

Deloitte kreu një sondazh me italianët si në Romë, ashtu edhe në pjesë të tjera të vendit, duke vlerësuar se sa e rëndësishme është ruajtja dhe mbrojtja e Koloseut për kombin.

Sondazhi zbuloi se mbi 90% e banorëve në Itali besojnë se vazhdimi i ekzistencës së monumentit është i rëndësishëm dhe se ai duhet të ruhet “në çdo rrethanë”, edhe nëse kjo do të thotë që duhet të paguhen para shtesë për ta ruajtur atë.

Vlera sociale kolosale e Koloseut u llogarit në bazë të “gatishmërisë së italianëve për të paguar” për ruajtjen e këtij monumenti.

Shuma mesatare që italianët brenda dhe jashtë Romës do të ishin të gatshëm të paguanin për të mbrojtur monumentin është 59 euro (59,85 dollarë) për person në vit. Banorët e Romës ishin të gatshëm të shpenzonin mesatarisht 90 euro për person në vit.

Duke llogaritur afro 50 milionë italianë mbi moshën 18 vjeç, shuma totale që do të mund të mblidhej nga qytetarët për mbrojtjen e Koloseut do të ishte rreth 2.9 miliardë euro çdo vit.

Raporti i Deloitte për Koloseun është pjesë e një nisme më të gjerë të kompanisë për të shfrytëzuar trashëgiminë kulturore si motorë për zhvillimin ekonomik, dhe, Italia – duke qenë shtëpia e numrit më të madh të vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në botë – është objektivi ideal për këto përpjekje.

“Duhen pasur parasysh si dimensionet ekonomike, ashtu edhe ato sociale. Ne duhet të përpiqemi t’i shfrytëzojmë sa më shumë ato kur bëhet fjalë për të mirat kulturore. Kjo është një iniciativë që padyshim e konsideron Italinë si protagonisten kryesore në botë”, tha në një deklaratë Fabio Pompei, CEO i Deloitte Central Mediterranean.

“Rritja e trashëgimisë kulturore në vendin tonë duhet të bëhet prioritet në axhendën e institucioneve kombëtare dhe lokale”, shtoi ai. / Fortune