Vuçiq sulmon Kurtin e Thaçin: Janë mashtrues, i regjistruan me telefon takimet e mbyllura në Munih

Vuçiq sulmon Kurtin e Thaçin: Janë mashtrues, i regjistruan me telefon takimet e mbyllura në Munih – Lajmet e fundit



Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka akuzuar presidentin dhe kryeministrin e Kosovës se i kanë regjistruar me telefona takimet e mbyllura në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë.

Takimet ishin mbajtur me rregullat e “Chatham House Rules”, sipas së cilës bisedat e brendshme duhet të mbahen sekret për ata që janë jashtë dhe biseduesit duhet të ndihen të sigurtë të flasin atë që ata mendojnë pa u brengosur se do të dalë në publik.

“Unë personalisht e pashë personin që ishte përgjegjës për regjistrimin e fjalimit të Thaçit, po ashtu edhe atij të Kurtit. Ata i bënë publike të gjitha për publikun… Ju përballeni me një mur të heshtur kur e dini se me çfarë mashtruesish ke punë në rajon” tha Vuçiq në Bruksel, në një darkë joformale të organizuar nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, për liderët e Ballkanit Perëndimorë.

Sipas tij, ai iu është bindur rregullave të Konferencës së Munihit.

“Unë nuk jam mashtrues, i cili është mësuar të mashtrojë europianët dhe gjithë të tjerët, askush nuk më filmoi, sepse unë veprova në parim me rregullat e shtëpisë. Nuk ka përgjigje po ashtu. Pse Albin Kurti heshti për të gjitha”, tha ai.

Ai shtoi se njerëzit që nuk mund të besohen, apo ata që nuk respektojnë rregullat themelore të mirësjelljes, nuk ia vlejnë të flitet për ta.

“Më vonë u tha se i gjithë ky informacion arriti më vonë tek Albin Kurti. Unë vetëm dua të tregoj se edhe nëpërmjet detajeve teknike, njerëz të papërgjegjshëm janë të aftë të shkatërrojnë cdo mundësi për kompromis dhe dialog”, tha Vuçiq.