Vuçiqi nuk pranon të përjashtohet ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan

Vuçiqi nuk pranon të përjashtohet ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan – Lajmet e fundit



Takimi i parë plenar i liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit Bërdo-Brijuni u mbajt në Slloveni, ndërsa, sipas raportimeve, aty u diskutua, veç të tjerash, për konkluza të përbashkëta, ndoshta edhe për një deklaratë, për mosndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se përfundimi ishte që i tërë rajoni të shkojë rrugës evropiane dhe se të gjithë së bashku duhet të punojmë në këtë drejtim.

“Sa i përket Serbisë, ne kemi pranuar përfundimet e propozuara. Ajo që është më e rëndësishmja për ju dhe për të cilën ekziston një konsensus, është se i gjithë rajoni është në rrugën evropiane. Ne gjithashtu mbështetëm synimet për të hapur një datë për negociata… Kishte shumë gjëra për të cilat nuk ranë dakord dhe një nga çështjet kryesore është çështja e ndryshimit të kufijve. OKB-ja është i vetmi organ në botë për të cilin mund të biem dakord dhe ne jemi të kënaqur me pjesën tjetër të tekstit. Të tjerët kërkuan shumë më tepër. Ne patëm një takim të mirë me shumë vërejtje, përsëritje, por tashmë jemi mësuar me këtë”, tha Vuçiqi, transmeton Zeri.info.

Tutje, sipas “Novosti”-t, mediumit nën kontrollin e Vuçiqit, ai ka thënë se nuk është pajtuar rreth çështjes së ndryshimit të kufijve.

“Nuk u pajtuam rreth çështjes së ndryshimit të kufijve. Serbia është për parimin e mosndryshimit të kufijve, por disa nga ta u kujtuan më 2021 se kufijtë nuk duhet të ndryshohen. Serbia kërkon që ai parim të vlejë gjithmonë në pajtim me statutet e OKB-së. Pra, nuk mund t’i ndryshoni kufijtë as në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Ju nuk mund të interpretoni kufijtë ashtu si dëshironi ose siç dëshiron një pjesë. Ne pajtohemi për respektimin parimor të të gjitha parimeve të OKB-së”, tha Vuçiqi.

Ai komentoi edhe “sulmet” ndaj Serbisë.

“Kjo është diçka që [Shefik] Xhaferoviq e ka thënë, sepse për të Serbia dhe Kroacia janë fajtore për gjithçka. Pyeti se përse Beogradi nuk e ka nënshkruar me Sarajevën marrëveshjen për kufi, ndërsa Serbia nuk e ka nënshkruar, sepse jemi marrë vesh për diçka tjetër, kurse më vonë ata kanë kërkuar diçka krejtësisht tjetër”, deklaroi Vuçiqi, transmeton Zeri.info.

Ai tha se është i gatshëm për një takim të radhës në Beograd, në maj-qershor, por se a do të ndodhë një i tillë pritet të shihet.

I pyetur nëse ka pasur vërtet “sulme” ndaj Serbisë nga Kosova dhe Bosnja, Vuçiqi tha se Xhaferoviqi foli vetëm për çështjen se përse s’e kemi nënshkruar kufirin.

“Tha çfarë mendonte, thashë edhe unë çfarë mendoj dhe për këtë kemi ardhur, që të bisedojmë”, u shpreh presidenti serb. /Zëri