Yll Rugova: “Manifesta” në Prishtinë, ngjarja e duhur në kohën e duhur

Yll Rugova: “Manifesta” në Prishtinë, ngjarja e duhur në kohën e duhur

Kur ata që e dinin se ç’është “Manifesta” numëroheshin në gishta në Kosovë, dhe kryesisht vinin prej komunitetit artistik, Yll Rugova si drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, do t’i takonte në Palermo organizatorët e Bienales nomade evropiane, e qysh asokohe do të besonte fort se Prishtina mund të bëhej nikoqire e kësaj ngjarjeje të madhe. Në prillin e një viti më vonë, do të jepej lajmi se “Menifesta” vendosi për Prishtinën. Pjesa tjetër është histori.

Tash, Rugova, nënkryetar i bordit të “Manifestas 14”, thotë bindshëm se “çdo ditë e më shumë po përforcohet ideja se ‘Manifesta’ është sivjet në Prishtinë ngjarja e duhur në kohën e duhur”.

Disa orë pas hapjes zyrtare të ngjarjes, Rugova përgjigjet shpejtazi në pyetjet e KOHË-s tek shpalos pritjet e bindjet e tij.

“Prishtina nga 22 korriku është një nga qendrat me rëndësi të artit dhe diskutimit urban në Evropë. Këto 100 ditë janë një dritare për Kosovën që tregojnë vlerat e saj, por edhe t’i ngrejë në nivel ndërkombëtar sfidat urbane, e të artit që i ka. I takon Kosovës që brenda këtyre 100 ditëve të ndërtojë ura të qëndrueshme mes njerëzve, mes institucioneve e mes qyteteve”, thotë ai.

KOHA: Çfarë mund të bëjë “Manifesta 14” në Prishtinë, përtej shpalosjes së artit bashkëkohor?

Rugova: Çdo ditë e më shumë po përforcohet ideja se “Manifesta” është sivjet në Prishtinë ngjarja e duhur në kohën e duhur. “Manifesta” nuk është vetëm një bienale e artit bashkëkohor që organizon ekspozita në një qytet të caktuar evropian, por është edhe platformë për transformim dhe diskutim urban. Prandaj, karshi kuratores Catherine Nichols që bën ndërmjetësimin kreativ të ekspozitave me artistët, qëndron me të njëjtën peshë edhe arkitekti Carlo Ratti, i cili ka dhënë zgjidhje për intervenime në Prishtinë që mund të ndihmojnë drejt ndryshimeve pozitive urbane në qytet. Të paktën që nga Palermo, “Manifesta” është transformuar në bienale të artit dhe arkitekturës. Dhe në Prishtinë këtë rol të zgjeruar të bienales po e shohim të shpaloset më së miri.

KOHA: A është një ngjarje e pesë milionëve, paradoks në qytetin pa muze të artit bashkëkohor?

Rugova: Projekti për muze të artit bashkëkohor në Kosovë vjen të paktën nga vitet e 70-ta, qysh mund të shihet edhe nga arkivi i shpalosur me kujdes nga kuratorja Hana Halilaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e që gjatë “Manifestës” është i hapur për publikun. Sivjet në vitin 2022 për herë të parë është formuar një këshill që ka për detyrë themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, të cilin kam fatin e madh ta drejtoj. Punët në këtë drejtim po ecin mirë, dhe me ritëm të shpejtë. Jam i bindur që vëmendja që “Manifesta” ia sjell artit në përgjithësi mundëson që projektet si ky muze të trajtohen seriozisht jo vetëm nga politikëbërësit, por edhe nga publiku i gjerë dhe grupet e ndryshme të interesit. Prandaj, përmes “Manifestës” realisht po bëhet i prekshëm projekti për një muze të artit bashkëkohor. Qytetarët sot mund të shkojnë në “Hotelin Grand” dhe në 6 katet e këtij hoteli të shijojnë vepra të ndryshme të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, që të paktën në një nivel të caktuar na japin ndjenjën e vizitës në një muze të tillë kudo në botë. Njësoj mund të vizitohen edhe 25 pika të tjera ku mbi 100 artisë ekspozojnë veprat e tyre, e bëjnë performancat e tyre. Është e vërtetë që ekziston një paradoks këtu, ngase për dallim prej vendeve të tjera ku muzetë e artit bashkëkohor janë të etabluar një kohë të gjatë, në Kosovë “Manifesta” vjen pikërisht për shkak se ky muze mungon. Duhet të mos harrojmë se muzeu nuk është një ndërtesë, por është një pikëtakim i artistëve me publikun. Për të krijuar muzeun së pari na duhet të valorizojmë artistët tanë, e paralelisht të krijojmë edhe publikun që është i etur për forma të reja në kulturë, art e arsim. “Manifesta” na ndihmon edhe në të dyja këto detyra.

KOHA: Sa mjafton që bienalja për 100 ditë të hapë një kapitull të ri për Kosovën jo vetëm në aspektin e artit?

Rugova: Prishtina nga 22 korriku është një nga qendrat me rëndësi të artit dhe diskutimit urban në Evropë. Këto 100 ditë janë një dritare për Kosovën që tregojnë vlerat e saj, por edhe t’i ngrejë në nivel ndërkombëtar sfidat urbane, e të artit që i ka. I takon Kosovës që brenda këtyre 100 ditëve të ndërtojë ura të qëndrueshme mes njerëzve, mes institucioneve e mes qyteteve. Me sa po e shoh nga këto ditët e para, këto ura veçse kanë filluar të marrin formë.

KOHA: A do të ishte Prishtina kryeqytet evropian edhe pa të?

Rugova: Prishtina është kryeqytet i një shteti të Evropës. Dhe për këtë s’ka diskutim. Por, të qenët qendër administrative, ekonomike e kulturore e një shteti nuk mjafton që një kryeqytet të ofrojë jetë cilësore, me shumësi zgjidhjesh për banorët e saj. Të qenët kryeqytet nuk mjafton, nëse mbetesh në izolim, qoftë të imponuar nga faktorë të jashtëm apo të krijuar vetë nga mungesa e iniciativave për bashkëpunim ndërkombëtar. Të qenët evropian nuk është vetëm cilësim gjeografik. Prishtina ka përgjegjësi që të përfshihet e të japë kontributin e vet në diskutimet ndërkombëtare për artin, kulturën, urbanizmin. E natyrisht, në Kosovë e Prishtinë ka shumë festivale e organizime që edhe më parë e kanë bërë dhe e bëjnë sot këtë detyrë me sukses. “Doku Festi” në Prizren, “Anibari” në Pejë, “Prishtina Architecture Week” e REDO në Prishtinë, pastaj festivalet e muzikës si “ReMusica”, “DamFest” e “Chopin Fest”, pa harruar edhe rolin e madh të “Sunny Hill Festival” të viteve të fundit. “Manifesta” gjithsesi nuk vjen në një shkretëtirë kulturore në Kosovë.

KOHA: A u desh të vijë “Manifesta” për ta rishikuar qasjen tonë ndaj objekteve të braktisura, dhe të hapësirës publike?

Rugova: Ftesa jonë në fillim për “Manifestën” ka qenë pikërisht e bazuar në rikthimin e hapësirave të braktisura në përdorim të publikut. Ideja ka qenë që të mos lejohet shndërrimi i vazhdueshëm i kinemave, teatrove, sallave ekspozuese në qendra tregtare e supermarkete. Për më shumë, edhe ato pak fabrika e punishte që kanë mbetur pa privatizuar t’i rijetësojmë me një funksion të ri shoqëror e kulturor, në dobi të komunitetit dhe qytetarëve që në radhë të parë jetojnë pranë tyre. Tulltorja në Prishtinë si pozicion ndodhet në mes të lagjes “Tophane”, “Medrese”, “Kodra e Trimave” e Arbëria, dhe me një rijetësim të tillë në bashkëpunim edhe me banorët e këtyre lagjeve mund të transformojë përgjithmonë të katër lagjet e kryeqytetit. Është e vështirë që të krijojmë programe dhe ide për të gjitha hapësirat e braktisura në Prishtinë, prandaj “Manifesta” si platformë ka qenë zgjidhje adekuate. “Manifesta” me përvojën e saj në qytete të ndryshme ka krijuar metodologji në rijetësimin e hapësirave të braktisura, dhe rikthimin e tyre te qytetarët. Na takon neve tash të këmbëngulim që këto hapësira të vazhdojnë të mbesin për publikun, komunitetin e qytetarët.

KOHA: Si e komentoni që bienalja kryesisht ka në shënjestër monumentet?

Rugova: Kur është ftuar “Manifesta”, kërkesa është bërë pikërisht me shënjestër monumentet në Prishtinë.

KOHA: Çfarë do të mbesë pas “Manifestas”?

Rugova: Ka qenë shumë me rëndësi që 100 ditët e “Manifestës” të mos mbesin e gjitha nga kjo bienale e rëndësishme evropiane. Prandaj janë shikuar modalitete të ndryshme të qëndrueshmërisë së projekteve, edhe vazhdimësisë së tyre. Personalisht jam shumë i lumtur që ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” në lagjen “Tophane” është rinovuar në tërësi dhe është hapur si institucion i ri kulturor me emrin Qendra për Praktika Narrative. Ky institucion është zhvilluar bazuar në anketat dhe përfshirjen e banorëve të lagjes “Tophane” dhe të lagjes të “Qendrës”, dhe përthekon funksione të ndryshme kulturore e shoqërore, përfshirë hapësirat për punëtori, hapësira të leximit, të ekspozimit, programe të arkivimit për historinë tonë të re, një arkiv e jetëve tona, hapësira për fëmijët, e madje edhe një radio-stacion. Pra, është një qendër multifunksionale që do t’i mbetet Prishtinës. Shpresoj shumë që edhe korridori i gjelbër prapa Pallatit të Rinisë të mirëmbahet dhe të vazhdojë së funksionuari, duke qenë një shëtitore e re e qytetit. Njësoj rruga e mbyllur “2 Korriku” afër Ministrisë së Kulturës. Ish-fabrika e Tullave është funksionalizuar përkohësisht, ne shpresojmë që edhe aty do të gjejmë funksion afatgjatë kulturor. Ndoshta duhet shikuar mundësia që aty të bëhet Muzeu i Artit Bashkëkohor.