“You have no idea” në përsëritje, gjen universalen me thjeshtësi

“You have no idea” në përsëritje, gjen universalen me thjeshtësi

“You have no idea” (Ti nuk ia ke idenë) është fjalia përsëritur mijëra herë, pa ndalur, për tridhjetë minuta rresht, në hyrje të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ky është titulli i performancës artistike që Selma Selman, artiste me prejardhje nga Bosnjë-Hercegovina ka shpalosur të enjten, në hyrje të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ka ardhur në kuadër të “Manifesta 14”, një ditë para hapjes zyrtare të kësaj bienaleje nomade të artit.

Për gjysmë ore audienca e ka dëgjuar vetëm këto fjalë. Duke e bërë këtë ajo ka përdorur tone të ndryshme. Nga fundi kulmon edhe në çirrje që ngjallin ndjenje dhimbjeje e trishtimi.

E përbërë vetëm nga një fjali, kjo performancë, si fillim synon ta shprehë botën e brendshme të artistes e pastaj të marrë kuptim të veçantë për secilin. Në rastin e Kosovës, Selman u shpreh se shfaqja mund të nënkuptojë edhe atë se të tjerët nuk ia kanë idenë se çfarë ndodh përreth.

“Në thelb kur unë jap ndonjë shfaqje ajo nuk është asnjëherë simbolike. Jam vetëm unë, e vërteta që e gjej tek universaliteti dhe tek të gjithë. Kur mendon për situatën në të cilën kemi mbetur të gjithë ne dhe pastaj mendon kontekstin e Kosovës, shpjegimi më i mirë është se gjithçka që po ndodh rreth nesh, është njëfarë mënyre se ne ‘Nuk e kemi idenë’”, ka thënë Selman.

Ka potencuar se performanca “You have no idea” shpalos ndjenjat e saj intime e pastaj është mu kjo thjeshtësi dhe ky subjektivitet i cili e çon tek universalja.

“Është shumë intime, është personalisht e imja, mendoj se është konteksti i jetës sime, por në të njëjtën kohë është edhe publike, është e zakonshme për të gjithë ne. Kështu që, arsyeja pse njerëzit lidhen me të është se ajo përbëhet vetëm nga një fjali, e cila është kaq e thjeshtë saqë edhe fëmija 0 vjeç mund ta kuptojë. Pra, thjeshtësia është ajo që bën atë universale dhe të barabartë me të gjithë ne”, ka shpjeguar ajo.

E pyetur lidhur me atë se si është ndier gjatë qëndrimit dhe performimit në Kosovë, Selman ka thënë për KOHËN se lidhja e saj me këtë vend buron nga një fakt shumë më i hershëm sesa kjo performancë. Nëna e saj ka lindur në Kosovë.

“Me origjinë jam nga Bosnja, por nëna ime ka lindur në Prishtinë kështu që sa herë vij këtu ndihem si në shtëpi. Në njëfarë forme unë ndihem sikur këtu është gjaku im”, ka treguar ajo duke shtuar se për herë të fundit në Kosovë kishte qenë më 2016.

Performanca, e cila u realizua në oborrin e Galerisë, në një kohë kur temperaturat ishin shumë të larta, përveç profesionalizmit artistik kërkoi edhe shumë mund fizik. Derisa audienca shihej e lodhur dhe duke kërkuar për hije, Selman arriti që për gjysmë ore të mos ndalej për asnjë moment duke performuar dhe thirrur po të njëjtën fjali: “You have no idea”.

Megjithatë, pas përfundimit të saj, Selman ka shpjeguar se edhe pse vazhdimisht është aktive, shfaqja është një gjë e cila i jep gjithmonë frikë e në të njëjtën kohë edhe ndjenja të cilat e lidhin më shumë me njerëzit.

“Kur jap një performancë unë gjithmonë jam duke u dridhur. Ndoshta kjo nuk duket, ndoshta njerëzit nuk e dinë, por është shumë e frikshme. Para performancës unë jam duke u dridhur, por në të njëjtën kohë e ndiej një lloj fuqie që mund të komunikoj me njerëzit dhe është shumë e rëndësishme që aq sa marr prej tyre, aq edhe u jap, qoftë kjo energji apo karma apo çfarëdo qoftë. Është një lidhje e fortë midis meje dhe audiencës”, ka përfunduar Selman.

Performanca, “You have no idea”, e cila kishte mbledhur një numër të konsiderueshëm njerëzish, kryesisht të huaj, u vlerësua edhe nga publiku.

Emanuele Meschini që ka ardhur nga Italia në Kosovë për të përcjellë “Manifestan” ka thënë se performanca e Selmas, mbi të gjitha, qe stimuluese.

“Le të themi se ajo ishte një performancë mjaft stimuluese edhe për sa i përket aspektit fizik se si ajo e realizoi performancën. Është mjaft e fuqishme dhe për faktin se temperaturat ishin shumë të larta dhe është ora dy e ditës. Pra, kjo gjë, përpjekja e saj, mund të reflektohet edhe në idenë që ajo do të donte ta shprehte. Ideja se është e vështirë të jepni çfarëdolloj gjykimi, pa qenë atje dhe pa e ndier atmosferën e atij vendi”, ka thënë Meschini.

Theodoros Vlavianos nga Greqia ka vlerësuar fuqinë, por edhe thjeshtësinë e saj duke shtuar se “fjalia që ajo përsëriste ishte përshtatur shumë mirë me performancën”.

“Mendoj së ishte një gjë, e cila na bëri të gjithëve bashkë”, ka thënë ai.

E lindur në Bosnjë–Hercegovinë, Selma Selman, e cila tani jeton në SHBA, ka diplomuar për artet transmedia, vizuale dhe skenike. Qëllimi kryesor i veprave të saj është të mbrojë dhe të mundësojë vetë-emancipimin kolektiv të grave të shtypura.

Ajo është, po ashtu, themeluese e organizatës “Get The Heck To School”, e cila synon të fuqizojë vajzat rome të cilat janë të përjashtuara nga shoqëria dhe ato të cilat jetojnë në varfëri.

Selman është fituese e disa çmimeve ndër të cilat: çmimin “Power of Excellence Award”, nga Shoqata e Grave të Biznesit në Bosnjë dhe revista “Grazia”, Sarajevë, çmimin “White Aphroid” për arritje të jashtëzakonshme artistike, Maribor, Çmimin e Jurisë për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit “60 sekonda” në Kopenhagë e të tjerë.

Shfaqjen “You have no idea” Selman e kishte dhënë edhe më parë në New York (SHBA), Maribor (Slloveni) dhe Berlin (Gjermani).