Zemaj thotë se ende s’ka marrë raport të plotë nga Prokuroria për vdekjet në Infektivë

Zemaj thotë se ende s’ka marrë raport të plotë nga Prokuroria për vdekjet në Infektivë – Lajmet e fundit



Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mbajtur konferencë për medie, ku ka folur për shkarkimin e Basri Sejdiut nga posti i drejtorit të SHSKUK-së.

Ai tha se ky shkarkim “është për t’u duartrokitur”, “për t’i hapur rrugë sistemit të mirëfilltë të shëndetësisë dhe për llogaridhënie”.

Zemaj ka folur edhe për dyshimet e vdekjeve, të cilat kanë ndodhur në ditën e diel në Infektivë dhe për këtë tha se nuk ka marrë ende raport nga Prokuroria, raporton “Zeri.info”.

“Ju lutem, mos i devijoni fjalimet dhe ngjarjet. Askush nuk do të jetë jashtë kësaj përgjegjësie, qoftë edhe bordi ose menaxhmenti tjetër. Kam kërkuar dhe pranuar edhe raportet preliminare, por do të pranoj edhe raportet e detajuara qoftë nga Inspektorati i Shëndetësisë ose Farmaceutik, duke mos harruar edhe bashkëpunimet me organet e drejtësisë”, tha ai.

Ministri tha më tej se virusi nuk e përjashton askënd, teksa përmendi edhe deputetët, të cilët kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

“Edhe deputetë kanë rezultuar me infeksion COVID-19 dhe ky virus nuk përjashton askënd”, tha ai.

Zemaj kërkoi nga qytetarët që të mbajnë distancën fizike dhe t’i bartin maskat.

“Prandaj në frymën e angazhimeve të zbatojmë masat nga Qeveria e vendit dhe rekomandimet e IKSHPK-së. Të mbajmë distancën fizike, të mbartim maskat mbrojtëse dhe të mirëmbajmë higjienën”, u shpreh ai. /Zëri/