Zëra mjeshtërorë nëpër perlat e muzikës shqipe për “Bilbilin” e Kosovës (FOTO)

Zëra mjeshtërorë nëpër perlat e muzikës shqipe për “Bilbilin” e Kosovës (FOTO)

Dhjetë minuta para nisjes së koncertit, të pranishmit zor se kanë gjetur ndonjë ulëse të lirë. Salla plot e të tjerë në këmbë ka qenë introja në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë për t’u zhytur në botën shumëngjyrëshe të tingujve shqiptarë. Dhe kjo edhe në vepra të padëgjuara. Kur dritat e sallës janë fikur, skena është veshur në të vjollcë. E skena u është dorëzuar solistëve të përcjellë me tinguj pianistikë. Si një mbrëmje me risi e zëra të zgjedhur është përkufizuar nata e tretë e “Rame Lahaj International Opera Festival”. I është dedikuar një prej zërave që sot janë zor të përsëritshëm në këto anë. Si dedikim për “bilbilin” e Kosovës, Nexhmije Pagarusha, ka qenë e paralajmëruar kjo mbrëmje qysh kur është publikuar programi i Festivalit. Në fokus kanë qenë veprat e kompozitorëve shqiptarë, e solistët duke gjurmuar në këta tinguj kanë përcjellë mjeshtërinë e interpretimit në skenë. Frymëzim kanë qenë dy emra që kanë qenë kryefjala e mbrëmjes: Nexhmije Pagarusha dhe kompozitori Çesk Zadeja. Mbrëmja ka nderuar opusin krijues të kompozitorit shkodran në 95-vjetorin e lindjes. Këto dy dedikime ua kanë shtuar peshën e përgjegjësisë edhe interpretuesve që janë emra të njohur për skenën kosovare. Sipas presidentit të Festivalit, Ramë Lahaj, ky Festival do të ishte i mangët pa këngëtaren që ka lënë prapa një thesar të pasur muzikor.

“Kanë kaluar dy vjet prej kur zemra jonë Nexhmije Pagarusha nuk është më në mesin tonë për të ardhë e për të na mbështetë edhe fizikisht në mbrëmjet tona, ashtu siç bënte dikur, edhe pse shëndetin e kishte të rënduar. Ajo jeton e frymon rreth nesh, e kemi përditë e në çdo çast me vete përmes thesarit muzikor që ajo na ka lënë”, ka shkruar tenori Rame Lahaj, mëngjesin e së martës, kur e ka ftuar publikun në këtë mbrëmje.

Arta Jashari, Zana Abazi-Ramadani, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj dhe Granit Musliu me lojë që e plotëson këndimin e kanë mbajtur publikun të vëmendshëm për më shumë se një orë. Kanë dominuar veprat e kompozitorit Çesk Zadeja.

“Unë mundohem që gjithë karrierën time ta dedikoj për kauza dhe natyrisht të këndoj në një mbrëmje ku shkruan në poster Nexhmije Pagarusha, për mua është nder i madh sepse jam rritur me këngët e saj”, ka thënë sopranoja Arta Jashari për KOHËN. Në skenë ka dalë disa herë ku ka interpretuar veprën “Romancë” të “Oh ky tregim” e “Dasma” të Çesk Zadesë dhe “Te kroni” të Prenk Jakovës. Interpretimi i këtyre arieve operistike për t’i bartur për herë të parë te publiku prishtinas ka ngërthyer një emocion të veçantë për sopranon Jashari.

“Ky ka qenë një rrugëtim i veçantë sepse veprat nuk i kemi dëgjuar më herët, por i kemi punuar nga fillimi vetë dhe unë e kam për zemër Çesk Zadenë dhe kam pasur emocione të dyfishta kur i kam kënduar ariet e tij”, ka shtuar tutje Jashari. Një hapësirë e veçantë, “RLIOF” po u jep edhe talentëve të rinj në këndim. Kapacitetin e tyre synon ta ngrejë në një nivel tjetër nëpërmjet masterklaseve të realizuara me mjeshtrin e vokalit, tenorin francez, Jean Bernard-Thomas. Mirlinda Koci kishte qenë vitin e kaluar pjesë e masteklaseve e sivjet ka hapur vetë mbrëmjen e veçantë dedikuar Pagarushës. Mes zërave të rinj ka qenë edhe tenori Granit Musliu. Baritoni Armand Likaj nga Shqipëria tash veçse është bërë i njohur për publikun në Prishtinë për zërin e tij të thellë e lojën në shërbim të asaj që përcjellë vepra. Emocionin që e përcjell në skenë pohon se e merr shumëfish nga publiku këtu.

“Hera e parë që jam në ‘RLIOG’, por e përjetova me një emocion të veçantë duke e ditur për gjithë këtë punë dhe investim për t’i dhënë një kontribut kaq të rëndësishëm artit në Prishtinë. Ishte kënaqësi dhe në veçanti është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua të përjetoj emocione kaq të forta e një publiku të mrekullueshëm tej i cili gjithmonë e gjej ngrohtësinë”, ka thënë Likaj për KOHËN.

Në vepra premierë, ku thuren vargje dashurie e himnizohet për atdheun, solistët kanë studiuar me dedikim të veçantë zbërthimin e tyre për t’i përcjellë me emocion te publiku në sallë.

Pianisti shqiptar Menan Bërveniku, i cili jeton në Vjenë, përcjellë shpesh interpretime ku këndohet shqip. Edhe në Prishtinë e ka përcjellë interpretimin e të gjithë artistëve në skenë. Nëpërmjet gërshetimit të këndimit me lojë pianistike, ata kanë përshkuar në opusin krijues të kompozitorëve të njohur shqiptarë.

“Kryesisht jam pak i eksperiencuar në muzikën shqipe, por ka qenë një punë shumë e larmishme, sidomos të bashkëpunoj me talentë kaq të jashtëzakonshëm që ka Kosova dhe Shqipëria”, ka thënë ai për KOHËN.

Solistët nga Kosova e Shqipëria, emra të njohur në të dy vendet, kanë interpretuar edhe në duet para publikut. Me interpretimin e këngës “Lule borë”, atyre u janë bashkuar edhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi e tenori Ramë Lahaj, i cili ngjitjen në skenë bashkë me mysafirët e Festivalit që e udhëheqë e ka përsëritur në tri netët e Festivalit. E publiku u është bashkuar në një formë tjetër: nëpërmjet duartrokitjeve gjatë interpretimit të këngës “Lule borë”. Mbrëmje si këto janë vlerësuar se janë shumë të nevojshme për publikun në Prishtinë, veçmas për faktin që nxjerrin në pah pasurinë e muzikës shqiptare.

“Një mbrëmje, e cila do të thosha i mungon skenës sonë muzikore. Një mbrëmje me plot përmbledhje me vepra të kompozitorëve shqiptarë. Disa prej veprave edhe unë i dëgjova për herë të parë. Siç edhe e kam thënë, ne kemi një muzikë shumë të bukur, ajo çfarë i mungon është promovimi i artistëve tanë. Jam i bindur që Festivali e ka në fokus këtë pikë”, ka thënë për KOHËN kompozitori e dirigjenti Memli Kelmendi.

Festivali operistik “Rame Lahaj” do të përmbyllet me 31 korrik në sheshin “Skënderbeu”, ku e ftuar speciale do të jetë sopranoja Angela Gheorgiu.