Zogiani reagon ndaj Ramës pas deklaratave të tij për veriun e Kosovës

Zogiani reagon ndaj Ramës pas deklaratave të tij për veriun e Kosovës – Lajmet e fundit



Zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani, ka reaguar sot pas deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me veriun e Kosovës.

Rama mbrëmë, në një intervistë për televizionin “T7”, komentoi mbi gjendjen politike në Kosovë gjatë pandemisë, ndërsa theksoi se ka një marrëdhënie shumë miqësore me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më tej kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se ai, edhe pse ka këtë marrëdhënie miqësore, nuk e ka menduar kurrë që Qeveria e Kosovës do të lejonte që veriu i Kosovës t’u nënshtrohej ligjeve të Serbisë gjatë pandemisë.

Ai po ashtu u shpreh i befasuar nga deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Haki Abazi, lidhur me rrënimin e Teatrit Kombëtar.

“U befasova nga ajo çka kolegu juaj lexoi aty. Nuk e kam ndeshur deklaratën e zv.kryeministrit të Kosovës. Që zv.kryeministri i Shqipërisë ose kryeministri i Shqipërisë të thotë diçka që nuk i pëlqen kryeministrit, zv.kryeministrit ose qeverisë së Kosovës, është në rregull të thotë një opinion. Që kryeministri i Kosovës të thotë që nuk jam dakord që Teatri Kombëtar të prishet, përsëri është në rregull. Unë e quaj problem kur ju në Kosovë thoshit që Edi Rama flet në emër të Kosovës. Unë jam përpjekur të flas për Kosovën, jo në emër të Kosovës dhe kam hyrë në debat kur jam cenuar rëndë nga ish-kryeministri i Kosovës. Por që zv.kryeministri i Kosovës ose kryeministri i Kosovës të bëjnë akuza, kjo është e rëndë, shumë e rëndë”, u shpreh Rama.

Këtë, theksoi kryeministri, nuk e çoj në mend as në ëndrrën më të keqe.

“Çfarë duhet të them unë që në veri të Kosovës në periudhën e pandemisë është zbatuar ligji dhe rregulli që zbatohet në Beograd? Unë vërtet me presidentin e Serbisë kam një marrëdhënie të hapur, edhe miqësore po të doni, por kurrë nuk e kam menduar që veriu i Kosovës do t’u nënshtrohej rregullave të Serbisë, 100%”, tha Rama.

Ndërsa Zogiani, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se Rama asnjëherë s’e ngriti zërin për çështjen e veriut.

“Ai kurrë s’e ka ngritur zërin kur Thaçi po përpiqej që për interesa personale të dorëzonte pjesë-pjesë sovranitetin e Kosovës te shoku i tyre i përbashkët, Vuçiq! Madje nuk reagoi as kur Thaçi po e vendoste Serbinë këmbëkryq në Parlament me Listën Serbe”, ka shkruar Zogiani në “Facebook”.

Mirëpo, sipas tij, Rama po reagon tash kur Vetëvendosja “ua ka prishur matematikën kësaj treshes, sulmon qeverinë e Kosovës pse lejoi të vijnë mjekë në kohë pandemie”.

“Ramës nuk i pengoi kur Thaçi lejoi policinë serbe të futet në veri të Kosovës, as kur ai bashkë me Isa Mustafën përgatiti një shtet paralel me ‘Zajednicën’. Nuk i pengoi Ramës kur Thaçi me njerëzit e tij, nëpërmjet tenderëve publikë, i jepte Serbisë dhjetëra miliona euro e as kur pikërisht për shkak të lidhjeve të të dyve me importuesit e energjisë sabotuan pavarësimin elektro-energjetik të Kosovës. Po atij i pengoka futja e disa mjekëve nga Serbia në kohë epidemie”, shkroi më tej Zogiani.

Sipas tij, Rama zbuloi se Kosovën e sheh sikurse e sheh Thaçi “dhe e përdor për vete, për luftimin e armiqve politikë dhe kurdo që humb një argument, përdor Kosovën si bishtin patriotik për t’u fshehur”.

“Rama e Thaçi janë vëllezër politikë. Asnjëri nuk kursejnë interesat kombëtare për arritjen e qëllimeve personale. Të dy janë të paturpshëm, të dy janë të pamëshirshëm, të dy veprojnë në sfond të errët, të dy janë antidemokratikë”, potencoi në fund Avni Zogiani, zëvendësministër i Ambientit.

Ndërkaq në intervistën e mbrëmshme në “T7” Rama u pyet edhe për takimin e kërkuar prej kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me COVID-19.

“Takimi i thirrur ishte nga formati i gabuar, në momentin e gabuar. Unë nuk doja të interferoja, as të bëhesha sfondi i askujt në kushtet kur në Prishtinë gjithë njerëzit kishin hallin e COVID-19, aty kishte filluar shkulja e ‘mustaqeve të Çelos’”, u shpreh Rama.

Ajo çka mua më ka lënduar me Ramushin, tha Rama, ka qenë gënjeshtra. Sipas tij, edhe ajo çka e ka lënduar me Kurtin ka qenë gënjeshtra lidhur me teatrin.

“Albin Kurti ka shkuar edhe më larg, ka përmendur edhe Slobodan Milosheviqin, duke bërë krahasime midis çfarë i bëri Slobodan Milosheviqi Kosovës e monumenteve të kulturës dhe çfarë po i bëkam unë dhe qeveria ime asaj godine, që në fakt nuk ka qenë kurrë monument kulture”, deklaroi Rama.

Rama tha se ishte qeveria e Sali Berishës që ka marrë dokumente nga personalitete të fushës, që nuk janë socialistë, janë demokratë, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë që nuk plotëson kushtet për të qenë monument kulture. /Zëri/